Aktualitet Rajoni

Tubimi i studentëve shqiptarë në Shkup për shqipen, reagon ministri i Drejtësisë në RMV: Gjuha maqedonase është obligim!

Një ditë pasi mijëra studentë shqiptarë protestuan në Shkup me kërkesën për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, ka reaguar edhe ministri i Drejtësisë Igor Fillkov.

Ministri u shpreh se protesta e djeshme ishte e dhunshme, ndërsa shtoi se gjuha maqedonase nuk është pengesë, por obligim.

“E drejta e protestës është demokratike, por askush nuk ka të drejtë nëpërmjet protestave të dhunshme të kërkojë shkatërrimin e kritereve dhe standardeve në gjyqësor. Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për dialog të argumentuar institucional, por nuk do të lejojë devalvim të sistemit juridik, as varrosje të rolit të gjuhës maqedonase si shtyllë e shtetësisë dhe rendit institucional. Gjuha maqedonase nuk është pengesë, ajo është obliguese, vlerë kushtetuese dhe garanci për funksionimin e shtetit”, u shpreh Fillkov.

Çfarë thotë ligji për provimin e jurisprudencës?

Sipas mediave në Maqedoni, në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase. Neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve të tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Projekt propozimi që do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ka qenë gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u zu më në gojë nga qeveria aktuale.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, dhe prej asaj kohe, në Maqedoninë e Veriut janë ndërruar katër ministra të drejtësisë si Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga. Aktualisht ministër është Igor Filkov.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të detyruara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedonase, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.