Rajoni

109 hajdutë votash në Kosovë, Albin Kurti: S’ka amnisti!

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bëri thirrje për hetim gjithëpërfshirës dhe ndëshkim ndaj të dyshuarve për manipulim të votave brenda partive politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit. Thirrja e liderit të partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosje, vjen pasi dje autoritetet ndaluan mbi 100 persona me dyshimet për keqpërdorim të votave të zgjedhjeve të muajit të kaluar.

Kurti, i kritikuar për mungesë reagimi ndaj dyshimeve për manipulime të votave, theksoi në Facebook se “komisionerë e individë, që në mënyrë klandestine, janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti”.

Javën e kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u detyrua të niste rinumërimin e plotë të votave, pasi konstatoi mospërputhje në votat e kandidatëve për deputetë.

Kurti shtoi:

Partia Vetëvendosje ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.

Kur rinumërimi ka përfunduar në pothuajse gjysmën e vendvotimeve, del se rreth 80 mijë vota janë të pasakta, sipas Eugen Cakollit nga organizata joqeveritare, Instituti Demokratik i Kosovës.

Në mesin e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr më shumë vota gjatë rinumërimit ka nga partitë kryesore, përfshirë Vetëvendosjen. Kurti nguli këmbë se dyshimet duhet të hetohen dhe se “manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”.

Autoritetet janë duke kryer hetime në tri komuna, Prizren, Ferizaj dhe Malishevë, me Prizrenin që dyshohet për pjesën dërrmuese të manipulimeve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha se të ndaluarit në rajonin jugor të vendit janë kryesisht komisionerë dhe në mesin e tyre ka familjarë të kandidatëve për deputetë.

Ata dyshohen për falsifikim të rezultateve zgjedhore, presion dhe kanosje e për dhënie dhe marrje ryshfeti. Sipas Kryeziut, një manipulim i tillë nuk ka mundur që të ndodhë pa një kompromis mes komisionerëve të katër partive më të mëdha politike.

Po flasim për komunën e Prizrenit që janë shtuar hiç më pak se 40.497 vota dhe janë hequr hiç më pak se 27.520 vota. Pra, diferenca totale e keqpërdorimeve është 68.017 vota.

Në Kosovë manipulimi i votave është vepër penale e dënueshme me burgim. Shumica e kandidatëve për deputetë të cilëve u janë hequr vota gjatë rinumërimit, e mohuan të kenë pasur gisht.