Aktualitet Zgjedhjet 2025

11 Maji, Celibashi: Janë konstatuar raste të shpërndarjes me vonesë të zarfave në Greqi!

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, sot dha një konferencë për gazetarët në kuadër të zgjedhjeve të 11 Majit. Celibashi bëri të ditur se në zonat e Vorës dhe Njësisë 10 në Tiranë, ku votohet në mënyrë elektronike, janë ngritur qendrat e testimit të votimit. Po ashtu foli për votimin në Diasporë, duke theksuar se 62% e zgjedhësve të regjistruar e kanë marrë zarfin dhe votuan 12.5% e tyre. Sipas Komisionerit janë konstatuar raste të shpërndarjes me vonesë të zarfave në Greqi. KQZ-ja ka kontaktuar kompaninë private të shpërndarjes, për të pasur në vëmendje situatën.

62% e zgjedhësve e kanë marrë dokumentacionin zgjedhor. Deri tani, në KQZ kanë mbërritur 19.025 zarfa votimi e deri në fund të ditës do të jenë 22 mijë, që përbëjnë 12.5% të votuesve. Problematika me shpërndarjen e zarfave të votimit është më e madhe në Greqi, sipas raportimeve, ku kemi kontaktuar kompaninë për ta pasur në vëmendje situatën.

Më tej, Celibashi foli lidhur me komunikimin e KQZ-së me SPAK-un mbi hetimet për problematika zgjedhore. Ai tha se me SPAK-un kanë komunikim të vazhdueshëm e për raste konkrete.

Jemi në komunikim të vazhdueshëm. Kemi pasur një komunikim për një çështje konkrete. Ndërkohë, në një komunikim të sotëm, SPAK-u mund ta bëjë vetë me dije që janë një numër procedimesh që po i ndjekin, bazuar edhe në denoncimet e subjekteve zgjedhore e në raste të bërë të ditura në media.

Celibashi sqaroi edhe një rast ku një votues bëri të ditur se i ka shkuar zarfi pa fletëvotimi. Sipas Celibashit, një rast i tillë mund të jetë spekulim nga ana e zgjedhësit.

Ka pasur një rast ku zgjedhësi ka bërë të ditur se i ka shkuar zarfi pa fletën e votimit. Në fakt, lidhur me këtë rast ne nuk kemi asnjë fakt nëse është gabim i KQZ-së apo spekulim i zgjedhësit, por nëse do të jetë spekulim, sërish nuk mund të keqpërdoret edhe nëse i dërgojmë një fletë të dytë, sepse elementët e sigurisë nuk e lejojnë që të regjistrohet si një votim i bërë dy herë.

Celibashi u ndal edhe te rastet e atyre votuesve që kanë publikuar votën, duke theksuar se publikimi i votës është një vepër penale. Komisioneri iu ka bërë thirrje partive politike të mos inkurajojnë këto veprime te votuesit e tyre.

E ribëjmë me dije dhe njëherë se fotografimi i votës dhe ajo çka po bëjnë ata në rrjetet sociale, në gjykimin tim, përbën një vepër penale, por nuk jam unë autoriteti që vendos për këtë çështje. Unë e shoh si një veprim që e klasifikoj si vepër penale. Eshtë i ndaluar rreptësisht publikimi i votës.