Sot shënohen 17 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku 26 persona humbën jetën dhe rreth 300 mbetën të plagosur nga shpërthimet në fabrikën e demontimit të armëve e municioneve në fshatin Gërdec. Hetimet janë zvarritur dhe vetëm një dekadë e gjysmë më pas, SPAK-u ka dorëzuar dosjen në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.
Fatmir Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, të kryer në bashkëpunim me zinxhirin komandues ushtarak. Ish-ministri i Mbrojtjes u rikthye në gjykatë nga denoncimi i një familjeje nga Gërdeci, fshati i tragjedisë së 15 marsit 2008.
Mediu ka thënë se “është absurde që ministri të hetohet për çështje të karakterit ushtarak”.
Eshtë një situatë kaq absurde se është tërësisht e papranueshme që ministri të gjykohet se çfarë janë kalibrat apo elemente të tjerë që nuk kanë të bëjnë me detyrën e tij. Këto çështje janë të karakterit ushtarak. Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë të ndara përgjegjësitë civile e ushtarake. Jemi në një realitet që është absurd.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh, me kërkesë të familjes së një prej viktimave të shpërthimit më 15 mars 2008, në mjediset e ish-“Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur.
Gjyqi ndaj Fatmir Mediut vijon prej prillit 2023. Sipas SPAK-ut, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit dhe ka favorizuar dy kompanitë “SAC” e “Albademil”. Për këtë çështje, ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, referuar Kodit Penal dhe “Shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.