Botë e Çuditshme

20 deve skualifikohen nga konkursi i bukurisë, shkak botoksi dhe silikoni!

Një episod i pazakontë ka tronditur një prej eventeve më të rëndësishme tradicionale në Oman. Plot 20 deve janë përjashtuar nga një konkurs prestigjioz bukurie pasi u zbulua se ishin përmirësuar me ndërhyrje estetike për të rritur shanset për fitore. Konkurset e bukurisë për deve janë thellësisht të rrënjosura në kulturën e vendeve të Gjirit dhe konsiderohen pjesë e trashëgimisë beduine. Çdo vit, mijëra deve marrin pjesë në gara ku çmimet arrijnë vlera milionëshe. Vlerësimi nuk bazohet vetëm te pamja fizike, por edhe te sjellja, karakteri dhe prezenca e kafshës.

Megjithatë, në edicionin e fundit në Oman, disa pronarë tentuan të manipulonin rezultatin. Sipas inspektorëve, disa prej deveve kishin marrë injeksione Botox për t’u fryrë buzët, relaksues muskujsh për të zbutur tiparet e fytyrës dhe madje edhe silikon për të theksuar gungën karakteristike. Autoritetet e konkursit reaguan menjëherë, duke theksuar se rregullorja është jashtëzakonisht e rreptë dhe çdo ndërhyrje artificiale përbën shkelje serioze.

Si rezultat, 20 deve u skualifikuan në vend, në një përpjekje për të ruajtur integritetin dhe autenticitetin e garës. Ndërkaq, ajo që dikur konsiderohej tabu ose luks elitist, sot po kthehet në një zgjedhje gjithnjë e më të zakonshme për burrat. Kirurgjia kozmetike dhe trajtimet estetike po përjetojnë një rritje të fortë të pacientëve meshkuj, një fenomen që po shfaqet veçanërisht fuqishëm në Lindjen e Mesme dhe Amerikën Latine.

Të dhënat e publikuara në Paris, gjatë kongresit global të industrisë estetike IMCAS, tregojnë një transformim të qartë. Nga viti 2018 deri në vitin 2024, numri i ndërhyrjeve kirurgjikale estetike të kryera te burrat është rritur me 95%. Edhe më mbresëlënëse është rritja e trajtimeve jo-kirurgjikale, si injeksionet, lazeri apo peeling-u, të cilat kanë shënuar një rritje prej 116%, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Kirurgjisë Plastike Estetike (ISAPS).