Aktualitet Sociale

2019-2023, pandemia rriti 41% shpenzimet për shëndetin!

Shpenzimet e shqiptarëve  për shëndetin po rriten vit pas viti, si pasojë e plakjes së popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve, por ritmet janë përshpejtuar dukshëm pas pandemisë COVID-19. Rishikimi i llogarive kombëtare nga INSTAT-i referoi se në vitin 2023, familjet shqiptare harxhuan për shëndetin mbi 84 miliardë lekë, ose mbi 840 milion euro. Kjo shifër e gjeneruar nga anketa e buxhetit të familjeve ishte 8% më e lartë se në vitin 2022 dhe 41% më e lartë se në vitin 2019, para pandemisë.

Barra e sëmundjeve kronike është rritur rreth 6% çdo vit pas pandemisë, referuar të dhënave zyrtare, duke rritur nevojën për ekzaminime dhe trajtime të përhershme. Të dhëna të tjera tregojnë se pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë për blerjen e medikamenteve.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 u importuan mbi 28,1 miliardë lekë produkte farmaceutike (280 milion euro), teksa fondi i rimbursimit të medikamenteve më 2024-ën kishte një tavan prej 12 miliardë lekësh.

Siç shihet, shteti ka kompensuar 120 milion nga 281 milion euro që kanë harxhuar qytetarët shqiptarë për mjekime. Rreth 160 milion euro për produkte farmaceutike janë paguar nga të ardhurat vetjake. Vitin e kaluar, fondi i rimbursimit të medikamenteve kishte një tavan prej 12 miliardë lekësh, rreth 120 milion euro, një shumë mjaft e ulët në raport me shpenzimet e familjeve shqiptare për shëndetin, me mbi 840 milion euro më 2023-shin.

Si një vend me nivel të lartë të varfërisë në popullatë dhe me të ardhurat më të ulëta në Europë, Shqipëria nuk mund të ketë akses në terapitë inovative. Zhvillimet demografike të Shqipërisë tregojnë për presion në rritje të shpenzimeve në shëndetësi.

Më herët këtë vit, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se Shqipëria i ka hapësirat fiskale për të rritur shpenzimet për shëndetësinë. Edhe Banka Botërore në vlerësimet e mëparshme ka kërkuar rritje të investimeve për kapitalin human, me më shumë investime në arsim e shëndetësi.

Shqiptarët ishin më të shqetësuarit në Rajon për kostot e larta të shërbimeve shëndetësore sipas anketës së fundit të “Security Meter” të zhvilluar në 6 vendet e Rajonit nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal. Rezultatet treguan se 24% e shqiptarëve ishin shumë të shqetësuar pasi nuk ishin në gjendje të përballonin kostot financiare për kujdes mjekësor rutinë dhe mjekim.

Ky shqetësim ishte i pranishëm në një përqindje më të ulët ndër qytetarët e Bosnjës, 16%, Kosovës 9%, Maqedonisë së Veriut 16%, Malit të Zi 20% e Serbisë, 20%./ Monitor