Bota

21-vjeçarja dyshohet për dy vrasje, hetuesit zbulojnë kërkime në ChatGPT!

Një 21-vjeçare në Korenë e Jugut është arrestuar nën dyshimin për vrasjen e dy burrave në Seul, ndërsa hetuesit pretendojnë se ajo kishte kërkuar informacione në ChatGPT lidhur me efektet e përzierjes së ilaçeve qetësuese me alkool. Sipas mediave ndërkombëtare, rasti i parë ka ndodhur më 28 janar në distriktin Gangbuk, ku e dyshuara, e identifikuar vetëm me mbiemrin Kim, dyshohet se kishte hyrë në një motel me një të ri në të 20-at. Ajo është larguar rreth dy orë më vonë dhe burri është gjetur i pajetë ditën pasuese.

Një incident i dytë është raportuar më 9 shkurt në një motel tjetër në Seul, ku dyshohet se është përdorur e njëjta metodë, duke i dhënë viktimës një pije të përzier me barna qetësuese. Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu një tentativë të mëhershme në dhjetor 2025 në Namyangju, ku ajo akuzohet se i kishte dhënë partnerit të saj një pije me qetësues, duke e bërë të humbte ndjenjat.

Sipas policisë, nga kontrolli i telefonit të saj janë zbuluar kërkime mbi efektet e kombinimit të pilulave të gjumit me alkoolin dhe rreziqet e mundshme. Autoritetet pretendojnë se ajo ka përgatitur pije me doza më të larta të qetësuesve të bazuar në benzodiazepinë, substanca që ngadalësojnë aktivitetin e trurit.

Gjatë marrjes në pyetje, e dyshuara thuhet se ka pranuar përzierjen e ilaçeve në pije, por ka mohuar se ishte në dijeni se sasitë mund të ishin fatale. Policia ka ngritur akuzat për vrasje pas analizimit të historikut të kërkimeve, të cilat, sipas tyre, tregojnë qëllim të paramenduar. Autoritetet deklarojnë se motivi mbetet i paqartë dhe hetimet janë ende në vijim. OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, nuk ka bërë koment publik mbi rastin.