Aktualitet

29 vite nga Tragjedia e Otrantos, 81 karrige në kujtim të viktimave të 28 marsit 1997!

Përkujtohet Tragjedia e Otrantos me 81 viktima, mes tyre gra e fëmijë, që iknin drejt Italisë për t’iu shpëtuar trazirave të 1997-ës.  Më 28 mars të atij viti, anija shqiptare “Kateri i Radës” me 142 persona në bord, u përplas nga korveta italiane “Sibilla” gjatë një operacioni bllokimi në Ngushticën e Otrantos.

Sot në këtë 29 vjetor, me iniciativë të deputetes së qarkut Vlorë, ministres Erjona Ismaili, 81 karrige ku ishin lidhur fjongo të zeza për të simbolizuar jetët e ndërprera, u lanë bosh, buzë detit. Edhe njëherë, familjarët shprehën mosdakordësinë me vendimin e dhënë nga drejtësia italiane se nuk pati prova.

Ata shprehën dhimbjen dhe zhgënjimin, duke e cilësuar tragjedinë si një ngjarje që mund të ishte shmangur. Ndërkaq, deklaruan se vijojnë të përballen me pasoja të rënda psikologjike e se kërkimi për drejtësi ka qenë i gjatë dhe i lodhshëm.

Për vendimet e dhëna nga drejtësia italiane, mendojnë se nuk kanë reflektuar plotësisht të vërtetën dhe nuk kanë qenë të drejta.

Hedhja e luleve në det shërbeu si një homazh i heshtur për viktimat.

Ministrja Ismaili theksoi se kjo është një plagë që vijon t’i dhembë qytetit, por siç theksoi, “harresa është edhe më e rëndë se vetë ngjarja”. Ndërkaq, nënvizoi rëndësinë e përkujtimit të përvitshëm, si një mënyrë për të mos lejuar që tragjedi të tilla të përsëriten në të ardhmen.

Viktima më e re ishte një foshnjë vetëm 3 muajshe.