Bota

35 vjet Gjermani e ribashkuar, po pasojat?!

Ndërsa sot Gjermania përgatitet të festojë 35-vjetorin e ribashkimit, një sondazh ka zbuluar se shumica dërrmuese e qytetarëve besojnë se vendimi ishte thelbësisht i saktë. Anketa e porositur nga transmetuesi ZDF, zbuloi se 90% e të anketuarve nga ish-Gjermania Lindore dhe 92% nga ish-Gjermania Perëndimore, besojnë se ishte e drejtë të ribashkohej vendi.

Megjithatë, afro 57% e qytetarëve në rajonet lindore e 47% në zonat perëndimore besojnë se problemet e ribashkimit janë ende kryesisht të pazgjidhura.

Sondazhi zbuloi dallime të qarta në mënyrën si gjermanët e përjetuan procesin e ribashkimit pas rënies së Murit të Berlinit. Midis banorëve të ish-Lindjes së mbështetur nga Bashkimi Sovjetik, 62% e të anketuarve thanë se “ribashkimi çoi në efekte pozitive në jetën e tyre”, ndërsa 26% nuk ​​panë pothuajse asnjë ndikim dhe 9% raportuan pasoja negative’’.

Në të kundërt, 64% e të anketuarve nga ish-Perëndimi që përfshinte Berlinin Perëndimor dhe landin jugor të Bavarisë, deklaruan se “ribashkimi nuk ka ndikuar në jetën e tyre”, ndërsa 29% përjetuan efekte pozitive e vetëm 3% panë anët negative.

Më 3 tetor 1990, landet që përbënin Gjermaninë Lindore u integruan në Republikën Federale të Gjermanisë, ky ishte emri zyrtar për Gjermaninë Perëndimore, duke i dhënë fund ndarjes së gjatë të kombit gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Data është një festë kombëtare e njohur si Dita e Unitetit Gjerman.

Por, dekada më vonë, pasojat e ribashkimit janë ende shumë të kundërshtuara, me mospërputhjet e vazhdueshme midis rajoneve lindore e perëndimore.

Si pjesë e festimeve për të shënuar 35-vjetorin, presidenti francez, Emmanuel Macron, sot pritet të mbajë një fjalim në një ceremoni, së bashku me kancelarin gjerman, Friedrich Merz në landin perëndimor të Saarlandit.