Art & Kulturë Travel

5 destinacionet shqiptare që po magjepsin botën/ Shqipëria, një perlë e fshehur e Europës

Turizmi në Shqipëri po përjeton një rritje të ndjeshme, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe turistëve nga e gjithë bota. Me natyrë të virgjër, trashëgimi kulturore të pasur dhe çmime të përballueshme, vendi ynë po shndërrohet në një alternativë të re e tërheqëse për pushime në Evropë.

Së fundmi, prestigjiozja britanike The Guardian e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve më të nënvlerësuara që duhet vizituar patjetër në vitin 2025. Në artikullin e saj, media britanike vë në pah pesë destinacione shqiptare që po fitojnë popullaritet ndërkombëtar:

1. Riviera Shqiptare (Himarë, Dhërmi, Jalë)
E cilësuar si “Maldive të Europës Lindore”, bregdeti jugor i Shqipërisë ofron plazhe të kristalta, gjire të paprekura dhe një atmosferë autentike mesdhetare. The Guardian thekson se këto plazhe janë më pak të mbipopulluara dhe shumë më të lira se ato të Greqisë apo Italisë, duke i bërë një zgjedhje ideale për pushime relaksuese.

2. Berati – qyteti i një mbi një dritareve
I shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Berati përfaqëson një ndërthurje të rrallë të historisë otomane me arkitekturën karakteristike dhe mikpritjen tradicionale shqiptare. Qyteti cilësohet si një “muze i gjallë në natyrë” që ofron përvoja unike për vizitorët.

3. Thethi dhe Alpet Shqiptare
Një destinacion ideal për adhuruesit e natyrës dhe aventurës. Me peizazhe mahnitëse, shtigje malore dhe një autenticitet të rrallë, Alpet shqiptare janë krahasuar me ato zvicerane, por me një bukuri më të egër dhe të paeksploruar.

4. Gjirokastra – qyteti i gurtë
Një tjetër qytet i mbrojtur nga UNESCO, Gjirokastra është e njohur për arkitekturën e saj unike me shtëpi guri, rrugicat me kalldrëm dhe kështjellën e saj madhështore. Qyteti ofron një udhëtim në kohë dhe një ndjesi autentike historike.

5. Shkodra – kryeqyteti i kulturës veriore
E vendosur pranë liqenit me të njëjtin emër dhe e pasuruar me trashëgimi kulturore të pasur, Shkodra është një nga qytetet më të rëndësishme të veriut të Shqipërisë. Ajo tërheq vizitorë me kështjellën Rozafa, artin urban dhe zhvillimet infrastrukturore të viteve të fundit.

Rritja e vazhdueshme e turizmit pritet të kulmojë gjatë sezonit veror të vitit 2025, me pritshmëri për rekorde të reja vizitash nga turistët evropianë dhe nga tregje më të largëta si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Koreja e Jugut dhe Australia. Shqipëria po konsolidohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën turistike globale, duke ofruar përvoja autentike, çmime konkurruese dhe një mikpritje që mbetet në kujtesën e çdo vizitori