24 orët e fundit, në Shqipëri janë shënuar 58 vatra zjarri, nga të cilat vetëm një mbetet aktive siç raportojnë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Ministria e Mbrojtjes. Eshtë fjala për atë në fshatin Markatomaj të njësisë administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, në një sipërfaqe pyjore me pisha e bimësi të përzier.
Pavarësisht izolimit, rreth orës 05:45 nga katër automjete zjarrfikëse e banorët e zonës, trungjet e djegura vetëndizen herë pas here për shkak të erës.
Në qarqet e tjera, zjarret janë neutralizuar me sukses:
Lezhë: 8 vatra – të gjitha të shuara
Berat: 5 vatra – të neutralizuara
Gjirokastër: 2 vatra – të shuara
Fier: 8 vatra – kryesisht në shkurre dhe bimësi
Elbasan: 3 vatra në fshatrat Petresh, Labinot Fushë dhe Kodër Bujaras
Tiranë: 12 vatra në Tiranë, Kavajë e Rrogozhinë – përfshirë edhe një zjarr në shtëpinë e fëmijëve “Zyber Hallulli” (vetëm dëme materiale)
Durrës: 5 vatra – të gjitha të izoluara
Shkodër dhe Korçë: nga 2 vatra secila – të neutralizuara
Vlorë: 3 vatra – të fikura me sukses.
Sipas autoriteteve, janë djegur rreth 32 hektarë sipërfaqe me bimësi, përfshirë lis, arra dhe ullinj. Në operacione morën pjesë 85 automjete zjarrfikëse, 557 forca operacionale, si dhe një helikopter i Forcave të Armatosura.
Instituti i Gjeoshkencave parashikon për sot nivel rreziku të lartë për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë dhe Fier, dhe rrezik të moderuar në qarqet e tjera. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë temperaturave të larta dhe të kontaktojnë strukturat vendore në rast nevoje.