U mbyll brenda 25 minutash seanca e Kuvendit të Shqipërisë ku pritej të diskutohej e debatohej programi i qeverisë “Rama 4” për 4 vitet e ardhshme dhe që ishte paralajmëruar si maratonë, duke u parashikuar të zgjase 25 orë. Me 82 vota, ky program u miratua, ndonëse pritej që paraqitja nga kryeministri Edi Rama, si dhe debatet e diskutimet të zgjasnin për më shumë se 24 orë.
Maxhoranca vendosi të kalojë menjëherë në votim, pas dy paralajmërimesh nga shefi i qeverisë dhe drejtuesi i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla se nëse nuk do të lejohej debati do të kalonin në votimin e programit.
Tensionet nisën kur kryeministri Rama i “dha fjalën” ministres digjitale, Diellës, që u shpreh e lënduar për akuzat se nuk është njeri. Deputetët e opozitës e kundërshtuan këtë pjesë duke vijuar ta cilësojnë Diellën, si antikushtetuese. Pati dhe një ndërprerje të shkurtër të seancës plenare. Me vazhdimin e saj, në kohën kur maxhoranca po votonte, deputetët e opozitës hodhën drejt kreut të Kuvendit dhe kryeministrit rregulloren, duke vënë në dukje se po shkelet.
Sali Berisha deklaroi se opozita do të marrë të gjitha vendimet dhe foli për një akt tipik prej Kim Jong-uni. Po ashtu, rezervoi fjalë të ashpra për kryeministrin.
As Maduro nuk guxonte të bënte një akt të tillë. As Maduro nuk guxonte të poshtëronte në këtë shkallë Parlamentin. Për çdo shqiptar ka vetëm një mision, shporrjen e tij një minutë e më parë nga pushtetit.
Opozita do të marrë të gjitha vendimet dhe nuk do të pajtohet kurrë me këtë dhunë ekstreme ndaj kombit shqiptar, sepse kjo nuk është dhunë ndaj Parlamentit. Populli shqiptar po shkelmohet nga një kryetar i një organizate kriminale, që arrin t’i vërë drynin parlamentit në momentin më thelbësor.
Njoftohet se Partia Demokratike vendosi të mbledhë grupin parlamentar, mbledhje që pason miratimin e programit të ekzekutivit.