Politikë

Berisha: ‘Diella’ avatar bosh, Rama dhe Begaj duhet të japin dorëheqjen!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Bajram Begaj pas publikimit të një artikulli për ministren “Diella” nga një ekspert i huaj.

Berisha duke iu referuar kërkimit të Patrick Quirk, publikuar në faqen ringmast4r.substack.com, tha gjatë një konference për gazetarët se “Diella është një avatar bosh pa asnjë qelizë të urtësisë artificiale! Rama dhe Begaj kanë kryer krim kushtetues”.

“Diella është vetëm një mashtrim për të vjedhur disa milionë euro dhe asgjë tjetër. Edi Rama e paraqiti ministrin Diella si të gjithëfuqishmin në luftën kundër korrupsionit. Për fat të keq, mediat ndërkombëtare fillimisht u mashtruan nga ky bllof i turpshëm, nga ky akt i paprecedent në historinë e botës”, u shpreh Berisha.

Duke iu referuar kërkimit të Patrick Quirk, Berisha shto se “ministrja Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale” dhe se teknikisht nuk mund të kryejë rolin që vetë Rama ka pretenduar publikisht se “Diella” do të ketë.

“Një shkrim i gjatë i një profesionisti të përgjegjshëm, ndërkombëtarisht të njohur në këtë fushë, nxjerr në pah të gjithë shëmtinë e mashtrimit Rama-Begaj, të cilët përdhosën Kushtetutën, përdhosën moralin e shtetit shqiptar, mashtruan shqiptarët dhe botën duke emëruar një ministre, një bot pa asnjë funksion për korrupsionin, pa asnjë atribut, pa asnjë aftësi”, nënvizoi kreu i PD-së.

“Sikur të kishte minimumin një nanogram moral, Edi Rama pas zbulimit të këtij skandali, duhej të jepte dorëheqjen. Duhej të pasonte pas tij pengu i Edi Ramës, Haram Begaj”, përfundoi Berisha.

Qeverisë së kryeministrit Rama, dekretuar në shtator 2025, iu shtua Diella si Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale. Në dekretin e Presidentit Begaj thuhet se Rama është përgjegjës për ngritjen dhe funsionimin e Ministres Virtuale.

Në përshkrimin e publikuar në faqen zyrtare të Kryeministrisë thuhet se, “Diella  ka në misionin e saj rritjen e aksesueshmërisë së shërbimeve publike për qytetarët, digjitalizimin e plotë të dokumenteve dhe proceseve shtetërore si dhe përfshirjen e inteligjencës artificiale në sektorët më të rëndësishëm të vendit”.