Numri i viktimave nga zjarri më i madh në dekada në Hong Kong ka arritur në të paktën 128 ndërsa autoritetet njoftuan për përfundimin e operacioneve për shuarjen e flakëve. Familjarë të dhjetëra personave që po konsiderohen të zhdukur, po kërkojnë për të afërmit e tyre në spitalet e qytetit.
Flakët u përhapën me shpejtësi në kompleksin e banesave Wang Fuk Court, në distriktin Tai Po të mërkurën pasdite, duke u shpërndarë në 8 ndërtesat e larta.
Pas më shumë se 40 orësh djegieje, zjarri u shua në pjesën më të madhe në orën 10:18 të mëngjesit, sipas asaj lokale, më 28 nëntor, siç njoftuan zjarrfikësit, të cilët thanë se përfunduan operacionet.
Autoritetet në Hong Kong po hetojnë se çfarë e shkaktoi zjarrin, përfshirë ekzaminimin e skelave prej bambuje dhe rrjetës plastike që mbështillte kompleksin, si pjesë e një rinovimi të madh.
Afro 200 persona vazhdojnë të konsiderohen të zhdukur.
Sot, autoritetet deklaruan se më shumë se 50 persona vazhdojnë të shtruar në spital, me 12 në gjendje kritike dhe 28 në gjendje serioze.
Ky ishte zjarri më vdekjeprurës në Hong Kong që nga viti 1948, kur një shpërthim, që u pasua nga një zjarr, vrau të paktën 135 vetë.
Struktura kundër korrupsionit njoftoi se ka nisur një hetim mbi punimet për rinovimin në kompleksin e banesave, disa orë pasi policia njoftoi se ka arrestuar tre persona, nën dyshimin se për shkak të neglizhencës kishin lënë materiale izoluese prej shkume në vendin ku shpërtheu zjarri.
Mes 94 viktimave janë edhe një zjarrfikës e dy punëtorë indonezianë. Qeveria e Hong Kongut njoftoi një fond prej 38.5 milion dollarësh amerikanë për të ndihmuar viktimat e zjarrit.
Autoritetet thanë se kanë hapur nëntë qendra strehimi dhe po organizojnë akomodimin e përkohshëm të banorëve që kanë humbur shtëpitë. Për shkak të zjarrit, u pezulluan aktivitetet për zgjedhjet legjislative të 7 dhjetorit në Hong Kong.