Udhëtim me votën e shqiptarëve në zgjedhje. Top Albania Radio vjen me një maratonë informative dhe analitike me raportime nga terreni dhe opinionistë për të sjellë në kohë reale gjithçka do ndodhë ditën e zgjedhjeve më 11 Maj dhe ditët në vijim deri në daljen e rezultatit të plotë me “Shqipëria Vendos – Zgjedhjet 2025”.
Nën drejtimin e gazetarit Blendi Salaj, Top Albania Radio ju sjell një maratonë zgjedhore me raportime të gazetarëve të Top Media nga çdo cep i Shqipërisë – shoqëruar me analiza në studio, intervista me protagonistët dhe rezultatet e çdo qyteti.
A do ta pranojë opozita rezultatin e zgjedhjeve? Aleksandër Çipa:
Mendoj se dy janë alternativat para të cilave ndodhet si vendim dhe si sjellje politike opozita e kryesuar nga zoti Berisha. E para, të vijojë atë që quhet evidentimin e një imazhi të nxirë të procesit të zgjedhjeve. Pavarësisht se vazhdon një proces normal i numërimit dhe i evidentimit të rezultateve, në ankesat që ka bërë dhe vazhdon të bëjë opozita, evidentohen efektet që kanë pasur mbi krimin e organizuar. Problemi i administrimit të procesit, dhe këtu kam parasysh ngërçin e krijuar me votat e diasporës dhe kryesisht me atë të Greqisë, madje për të qenë korrekt, tek kazusi i votës së diasporës nga Greqia, unë lexoj një ngërç të mirëmenduar edhe politikisht – që do të thotë se nuk është thjesht një çështje e keqadministruar midis Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe kompanisë shërbyese postare, por është më së shumti tek mënyra se si është deleguar tek nënkontraktorët – sidomos për shërbimin ishullor të Greqisë. Dhe këtu kemi të bëjmë edhe me përfshirjen e segmenteve dhe individëve politikë që janë në të dy kahet e politikës, edhe në shtetin fqinj.
Alternativa e dytë e zotit Berisha, është që të shkojë në atë qëndrimin tradicional, të mosnjohjes së rezultatit të procesit zgjedhor, të ankimimit të tij në një cikël të pafundëm pothuajse – dhe kjo gjë besoj se do të ndodhë.
E treta, që të kalojë në një moment zyrtar të ankimimit ndërkombëtar, pra që të zhvillojë një diplomaci të ankesës opozitare nëpër botë. Kjo do të na rikthente gati në periudhën e ’96-ës, që në fakt është një histori recidiviste shumë e shëmtuar dhe mbrapalënëse. Këto janë histori që nuk përkojnë me maturitetin dhe me stadin aktual të zhvillimit të shoqërisë.