Bota

A do të jetë pasardhësi i Papa Françeskut një hungarez?

Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, kanë nisur spekulimet për pasuesin e tij në krye të Selisë së Shenjtë. Një nga kandidatët kryesorë është Peter Erdo, kryepeshkopi i Esztergom-Budapestit.

Kardinali hungarez 72-vjeçar ka mbajtur poste të rëndësishme në Kishën Katolike gjatë dekadave të fundit dhe u përmend si kandidat potencial edhe në vitin 2013, kur përfundimisht u zgjodh Papa Françesku.

A ka shanse Erdo të pasojë argjentinasin?

Kush është Peter Erdo?

Erdo konsiderohet gjerësisht si “papabile” – një term që përdoret për kandidatët me gjasa reale për t’u bërë papë.

Teorikisht, çdo mashkull i pagëzuar katolik është i pranueshëm për papatin, por që nga shekulli i 14-të, vetëm kardinalët janë zgjedhur. Aktualisht ka 252 kardinalë, por vetëm 135 prej tyre kanë të drejtë vote, pasi vetëm ata nën moshën 80-vjeçare mund të marrin pjesë në konklavë.

Erdo mund të arrijë të sigurojë dy të tretat e votave në Konklavën Papnore që pritet të nisë në fillim të majit (jo më herët se 16 ditë pas ndarjes nga jeta të papës, sipas rregullave aktuale).

Kredencialet e tij janë të fuqishme: nga viti 2006 deri më 2016 ka drejtuar Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore Europiane, një organizatë e rëndësishme që përfaqëson ipeshkvijtë katolikë në Europë.

Kjo është me peshë, pasi kardinalët europianë vazhdojnë të përbëjnë bllokun më të madh të votuesve. Por, Erdo nuk ka ndërtuar lidhje vetëm në Europë. Nëpërmjet punës së tij në këshill, ka krijuar kontakte të rregullta me përfaqësues të Kishës nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine, rajone që po fitojnë gjithnjë e më shumë ndikim në Kishën Katolike.

Ai flet rrjedhshëm italisht dhe latinisht, gjuhë kyçe në hierarkinë e Vatikanit dhe është një ekspert i njohur i së drejtës kanonike, që rregullon funksionimin e brendshëm të Kishës.

Një nga arritjet e tij më të mëdha është sjellja e Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik në Budapest, në vitin 2021, një ngjarje madhore që mblodhi klerikë dhe besimtarë nga mbarë bota, përfshirë papën.

Ky aktivitet i dha Erdos një platformë të fuqishme për të rritur dukshmërinë dhe për të ndërtuar rrjete të rëndësishme si në Vatikan, ashtu edhe në famullitë katolike në mbarë globin.

Por, ndoshta arma e tij më e fortë është pragmatizmi.

Edhe pse konsiderohet konservator, për shembull, ai është kundër dhënies së Kungimit të Shenjtë për katolikët e divorcuar, Erdo ka bashkëpunuar me Papa Françeskun dhe ka shmangur kritikat publike ndaj tij, ndryshe nga shumë figura të krahut tradicionalist.

Papa Françesku madje e kishte përfshirë Erdon në organizimin e takimeve të posaçme të Vatikanit për çështjet familjare e vizitoi Hungarinë dy herë gjatë mandatit të tij.