Lifestyle

Dyfish përfitime, si të kombinoni punën me pushimet!

Një prirje e re po përhapet mes profesionistëve që kërkojnë ekuilibër, kursim dhe përvojë: “bleisure” është kryefjala. Gjithnjë e më shumë punonjës po i bashkojnë udhëtimet e punës me pak kohë për veten. Kjo prirje e re, e quajtur “bleisure”, një kombinim i fjalëve business (punë) dhe leisure (kohë e lirë), po përhapet me shpejtësi, sidomos në një kohë kur rritja e kostove i ka zbehur pushimet tradicionale.

Koncepti është i thjeshtë: gjatë një udhëtimi pune, zgjateni qëndrimin edhe për disa ditë për të eksploruar destinacionin, me shpenzimet personale. Shumë kompani po e përkrahin këtë model, si mënyrë për të shmangur mbilodhjen dhe për të nxitur mirëqenien e punonjësve.

Përfitime të dyanshme

Për punonjësit, përfitimi është i qartë: fluturimi dhe akomodimi gjatë ditëve të punës paguhen nga kompania, ndërsa pjesa e pushimit mbulohet vetë. Kështu, një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve kursehen. Për shembull, një udhëtim pune në Paris mund të zgjatet lehtësisht me një fundjavë në Bruksel apo Amsterdam, pa kosto shtesë për kompaninë.

Nga ana tjetër, për kompanitë, kjo qasje është një mënyrë për të rritur angazhimin dhe motivimin pa shpenzime shtesë. Platforma si Navan tashmë ofrojnë opsione, që ndajnë automatikisht shpenzimet e biznesit nga ato personale, duke ruajtur transparencën financiare.

Si ta planifikoni si duhet

Ekspertët këshillojnë që gjithçka të bëhet me transparencë: flisni me menaxherin tuaj dhe kërkoni aprovimin për të zgjatur udhëtimin. Sigurohuni që shpenzimet personale të jenë të ndara qartë nga ato të punës dhe mbani faturat në mënyrë të organizuar.

Një tjetër këshillë: mbrojeni kohën tuaj të lirë. Nëse keni rënë dakord të kontrolloni email-et vetëm një herë në ditë, mos e ktheni pushimin në një zyrë tjetër. Ju e keni fituar të drejtën për pak kohë për veten, prandaj përfitoni prej saj.

Në epokën e punës hibride dhe në distancë, “bleisure” po bëhet më i lehtë dhe më i pranueshëm. Ekspertët e udhëtimeve dhe drejtuesit e kompanive po bien dakord për një gjë: një punonjës i cili ka pushuar dhe është i frymëzuar, është më i angazhuar e produktiv.

Ndaj herën tjetër që ju bie të udhëtoni për punë, mendoni të shtoni edhe disa ditë për të shijuar vendin. Eshtë një mënyrë e zgjuar për të udhëtuar më shpesh, me më pak shpenzime dhe pa ndjenja faji. / shqip.al