Një zakon i thjeshtë i përditshëm mund të ketë ndikim më të madh në shëndet sesa mendohej deri më tani. Sipas një studimi të gjerë të realizuar nga studiues të Universitetit të Oksfordit dhe Cancer Research UK, konsumimi i një gote qumësht në ditë lidhet me një ulje të konsiderueshme të rrezikut për zhvillimin e kancerit të zorrës së trashë.
Kanceri i zorrës së trashë mbetet një nga llojet më të përhapura të kancerit në vendet e zhvilluara dhe ekspertët vazhdojnë të kërkojnë mënyra të thjeshta për të reduktuar faktorët e rrezikut. Pirja e duhanit, mungesa e aktivitetit fizik, konsumimi i alkoolit, si dhe ngrënia e mishit të kuq dhe atij të përpunuar, konsiderohen ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rrezikut.
Sipas profesorit Justin Stebbing nga Universiteti Anglia Ruskin, studimi është një nga analizat më të mëdha të kryera ndonjëherë mbi lidhjen mes ushqimit dhe kancerit.
Ky hulumtim tregon se ndryshime të vogla, të arritshme dhe me kosto të ulët në ushqim mund të kenë ndikim të rëndësishëm në shëndet”
-ka deklaruar ai.
Rezultatet treguan se personat që konsumonin rreth 244 gramë qumësht shtesë në ditë, afërsisht një gotë e madhe, kishin 17 për qind më pak gjasa të zhvillonin kancer të zorrës së trashë. Efekti mbrojtës u vu re si te qumështi i plotë, ashtu edhe te variantet me më pak yndyrë.
Studiuesit besojnë se një nga arsyet kryesore lidhet me përmbajtjen e lartë të kalciumit. Ky mineral mund të ndihmojë në neutralizimin e substancave potencialisht të dëmshme në zorrë dhe të mbështesë eliminimin e qelizave jonormale.
Përveç kalciumit, qumështi përmban edhe vitaminë D, e cila në shumë produkte shtohet gjatë përpunimit dhe lidhet me rregullimin e rritjes së qelizave. Gjithashtu, laktoza mund të favorizojë zhvillimin e baktereve të dobishme në zorrë, të cilat prodhojnë substanca me efekte antiinflamatore.
Nga ana tjetër, studimi konfirmoi se konsumimi i tepërt i alkoolit dhe mishit të përpunuar vazhdon të lidhet me rrezik më të lartë. Një gotë e madhe verë në ditë mund të rrisë rrezikun me rreth 15 për qind, ndërsa konsumimi i mbi 30 gramëve mish të kuq ose të përpunuar në ditë lidhet me një rritje prej rreth 8 për qind.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se qumështi nuk duhet të shihet si një mbrojtje e vetme kundër kancerit. Skriningu i rregullt, aktiviteti fizik, ushqimi i balancuar dhe shmangia e faktorëve të njohur të rrezikut mbeten elementët më të rëndësishëm për ruajtjen e shëndetit.
Studimi sugjeron se edhe ndryshime të vogla në zakonet e përditshme mund të japin përfitime afatgjata, duke treguar se ndonjëherë një gotë qumësht mund të jetë më shumë sesa thjesht pjesë e mëngjesit.