Uji është një nga elementët më thelbësorë për jetën dhe funksionimin normal të organizmit. Ai përbën rreth 60% të peshës trupore tek të rriturit dhe luan rol kyç në rregullimin e temperaturës, transportin e lëndëve ushqyese dhe oksigjenit, largimin e mbetjeve si dhe në proceset metabolike.
Ndryshe nga ushqimi, pa të cilin njeriu mund të mbijetojë për javë, mungesa e ujit për më shumë se tre ditë mund të ketë pasoja fatale.
Shifra e përmendur shpesh, rreth 2.5 litra ujë në ditë, është vetëm orientuese. Sipas European Food Safety Authority, nevojat ditore për ujë ndryshojnë në varësi të moshës, gjinisë, peshës trupore, aktivitetit fizik dhe klimës. Fëmijët, adoleshentët dhe të rriturit kanë kërkesa të ndryshme, ndërsa gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji kanë nevojë për sasi më të larta.
Studimet tregojnë se konsumimi i rregullt i ujit ndikon pozitivisht në metabolizëm dhe në kontrollin e peshës.
Pirja e ujit, sidomos në orët e para të mëngjesit, mund të rrisë përkohësisht shpenzimin e energjisë dhe të ndihmojë në uljen e ndjesisë së urisë, duke krijuar ndjesi më të gjatë ngopjeje.
Ekspertët paralajmërojnë se edhe dehidratimi i lehtë mund të shkaktojë lodhje, dhimbje koke dhe vështirësi në përqendrim. Humbja e madhe e lëngjeve përbën rrezik serioz për jetën.
Një tregues i thjeshtë për të kuptuar nëse jeni të hidratuar mirë është ngjyra e urinës, ajo duhet të jetë e çelët.
Hidratimi i rregullt mbetet një nga faktorët më të rëndësishëm për shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme.