Lifestyle

A po punoni në një mjedis toksik/Çfarë mund të bëni për këtë?

A keni ndjesinë se vendi ku punoni është toksik? Ja nëntë shenja që mund ta konfirmojnë këtë dyshim dhe disa këshilla se si të veproni.

Për pjesën më të madhe të karrierës sime, kam menduar se kisha qenë me fat që i kisha shpëtuar mjediseve toksike të punës. Sigurisht që e dija se organizata të tilla ekzistonin dhe teorikisht e dija se duhej t’i shmangia me çdo kusht. Por më deshën shumë vite për të kuptuar se si duket realisht një vend pune toksik. Dhe sapo e kuptova, kuptova gjithashtu se kisha punuar edhe vetë në disa prej tyre.

Thjesht nuk e kuptoja në atë kohë, sepse besoja se problemi isha unë. Mendoja se puna ime nuk ishte mjaftueshëm strategjike, se nuk kisha potencial drejtues ose se nuk isha gati për atë promovim, në vend që të vija në dyshim organizatat ku punoja.

Bisedat me miq dhe kolegë më ndihmuan të kuptoj se eksperienca ime nuk ishte aspak e rrallë. Shumë njerëz në rrethin tim kishin përjetuar toksicitet në vendin e punës, por si edhe unë, jo gjithmonë kishin qenë në gjendje ta dallonin që në fillim.

Fatmirësisht, vitet e fundit ka pasur një ndryshim real drejt vendeve të punës më transparente, më mbështetëse dhe më gjithëpërfshirëse dhe diskutimi mbi toksicitetin është bërë më i hapur dhe më i aksesueshëm për të gjithë.

Kjo do të thotë se si drejtuesit, ashtu edhe punonjësit janë sot shumë më të vetëdijshëm për shenjat e zakonshme të një mjedisi toksik pune dhe mënyrat si mund të përballen me të. Ky udhëzues do t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë situatën. Le të nisim me bazat.

Çfarë është një mjedis toksik pune?

Një mjedis toksik pune është ai ku sjellje negative si manipulimi, bullizmi, bërtitjet e vazhdueshme e të tjera të ngjashme janë aq të rrënjosura në kulturën e organizatës, sa mungesa e produktivitetit, mungesa e besimit, nivelet e larta të stresit, konfliktet e brendshme dhe diskriminimi bëhen normale.

Është një ambient që të bën të ndihesh “psikologjikisht i pasigurt”, thotë trajneri i karrierës Eli Bohemond.

Mund të ndieni se do të ndëshkoheni, poshtëroheni ose refuzoheni nëse flisni hapur, qoftë për të dhënë ide, për të ngritur shqetësime apo kundërshtime, apo edhe thjesht për të qenë vetvetja në punë. Sipas Bohemond, me kalimin e kohës, mjedise të tilla mund të çojnë në ankth apo depresion.

Një punonjës mund ta gjejë veten duke qarë para se të shkojë në punë, sepse ndihet i bllokuar. Nuk dëshiron të përballet me një tjetër ditë stresi dhe refuzimi, por njëkohësisht ka nevojë për punën. Ose toksiciteti mund të shfaqet përmes sjelljeve ankthioze për të kënaqur të tjerët, ku dikush përpiqet vazhdimisht të tejkalojë pritshmëritë, edhe pse ndihet i pavlerësuar, derisa përfundon i rraskapitur.

Dyshoj se shumica prej nesh kanë pasur të paktën një shef toksik në një moment të karrierës, thotë Lisa Quinn, trajnuese për drejtimin dhe lidershipin. Por nga eksperienca ime, një vend pune toksik shkon përtej sjelljes së një apo dy individëve. Është diçka sistemike.

Quinn i krahason organizatat me sisteme të gjalla, të përbëra nga shumë marrëdhënie të ndryshme. Dhe nga ky këndvështrim, një vend pune toksik është një sistem ku e tëra dëmton individët dhe ekipet që punojnë brenda tij.

Cilat janë shenjat e një mjedisi toksik pune?

Ndonjëherë është e vështirë të kuptosh nëse po punon apo jo në një ambient toksik. Disa nga klientët e Quinn kanë pasur vështirësi ta identifikojnë vendin e tyre të punës si toksik, sepse kishin filluar ta konsideronin një situatë të tillë si normale.

Me kalimin e kohës, njerëzit mësohen ta përballojnë atë ambient. Ose mund të ndodhë që, si në rastin tim, të mendoni se problemi jeni ju, sepse të gjithë të tjerët duket sikur e tolerojnë situatën.

Mund të ndihesh shumë i vetmuar, thotë Quinn.

Përcaktimi i një mjedisi toksik nuk është gjithmonë i thjeshtë, sepse ka shumë elementë që mund ta bëjnë një ambient të tillë. Po ashtu, i njëjti vend pune mund të ndikojë ndryshe te njerëz të ndryshëm, në varësi të eksperiencave të tyre, mënyrës së punës apo historisë personale.

Megjithatë, ekzistojnë disa karakteristika të zakonshme. Edhe pse kjo listë nuk është e plotë, ajo mund të shërbejë si pikënisje për të kuptuar nëse po punoni në një mjedis toksik.

1.Nuk ka kufij mes punës dhe jetës personale

Kulturat toksike shpesh e normalizojnë mungesën e kufijve të shëndetshëm, thotë Bohemond, duke i shtyrë punonjësit ta vendosin punën mbi gjithçka tjetër.

Drejtuesit mund të rraskapiten vetë dhe të presin të njëjtën gjë edhe nga ekipet e tyre, pavarësisht nëse punojnë në zyrë apo në distancë.

Ndoshta pritet që punonjësit të qëndrojnë në zyrë deri vonë si shefat e tyre ose të përgjigjen ndaj mesazheve dhe email-eve në çdo orë të fundjavës.

Bohemond këshillon që kandidatët ta vëzhgojnë këtë që gjatë procesit të rekrutimit, sepse shpesh bëhet e dukshme herët.

Nëse menaxheri i punësimit ju jep një detyrë të premten pasdite dhe e kërkon të hënën në mëngjes, ose pret përgjigje të menjëhershme herët në mëngjes apo vonë në darkë, ky është një sinjal alarmi.

2.Njerëzit nuk i besojnë njëri-tjetrit

Në një ambient toksik, mungesa e besimit mes kolegëve ndihet qartë. Bohemond sjell shembullin e një organizate ku zyrat e drejtuesve ishin vendosur përballë tavolinave të punonjësve, në mënyrë që ata të monitoronin vazhdimisht aktivitetin.

Ose mund të jetë një ambient ku menaxherët i bombardojnë vazhdimisht vartësit me mesazhe për të kontrolluar se çfarë po bëjnë.

Whitney Simon, eksperte komunikimi dhe përfshirjeje, thotë se mikromenaxhimi e përkeqësoi ndjeshëm sindromën e impostorit tek ajo, sidomos si grua me ngjyrë që shpesh ishte e vetmja në ekip.

Në atë kohë, e kisha përvetësuar atë mungesë besimi nga menaxherët e mi dhe i thosha vetes se po të isha më e aftë, nuk do të kishin nevojë të më kontrollonin vazhdimisht. Por sot e di se drejtuesit që kontrollojnë gjithçka në detaj krijojnë ekipe toksike që performojnë dobët.

3.Nuk ka hapësirë për gabime

Quinn ka punuar me shumë klientë që gjendeshin në kultura pune “agresive dhe ku secili lufton për vete”.

Ato janë të mbushura me fajësime. Nuk ka hapësirë për të gabuar dhe për të mësuar nga gabimi. Nëse gabon, të kryqëzojnë.

Në ambiente të tilla, njerëzit bëjnë gjithçka për të shmangur fajin dhe për të dalë mbi kolegët. Për shembull, fshehin informacionin ose ua hedhin fajin të tjerëve kur diçka shkon keq.

Ky lloj ambienti është veçanërisht i rëndë për minoritetet, të cilat shpesh ndihen nën presionin e vazhdueshëm për të qenë perfekte.

Nëse gabon një person i bardhë, konsiderohet mundësi për të mësuar, thotë Simon. Por për minoritetet, gabimi shpesh perceptohet si provë se nuk e meritojnë vendin që kanë.

4.Njerëzit trajtojnë njëri-tjetrin me përçmim

Përçmimi, që psikologu John Gottman e konsideron një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve toksike, shfaqet shpesh edhe në vendin e punës.

Quinn kujton rastin e një klienteje, shefi i së cilës rrotullonte sytë sa herë ajo fliste në mbledhje. Ai shpërfillte sugjerimet e saj dhe më pas i pranonte kur të njëjtat ide propozoheshin nga dikush tjetër, zakonisht nga një burrë.

I njëjti drejtues i rikthente vazhdimisht punën për korrigjim dhe komentet shpesh nuk kishin të bënin me përmbajtjen, por ishin sulme personale ndaj mënyrës së saj të të shkruarit apo të punës.

5.Marrëdhëniet mes njerëzve nuk janë të shëndetshme

Shëndeti emocional i një vendi pune mund të kuptohet edhe nga mënyra si sillen njerëzit me njëri-tjetrin.

A flasin e qeshin bashkë gjatë pushimit të kafesë apo shumica rrinë të mbyllur, të tensionuar dhe vetëm para kompjuterit?

A ndajnë humor e batuta në Slack apo komunikimi është i ftohtë dhe agresiv?

Mund ta ndjesh energjinë e një vendi pune nga atmosfera dhe gjuha e trupit, thotë Bohemond.

Një tjetër sjellje problematike është “stonewalling”, kur dikush të injoron plotësisht.

Një kliente avokate përballej vazhdimisht me këtë nga shefi i saj, thotë Quinn. Ajo hynte në zyrë, e përshëndeste ose përpiqej të komunikonte dhe ai e injoronte plotësisht. Ajo nuk e kuptonte kurrë çfarë kishte bërë gabim dhe kjo ishte jashtëzakonisht stresuese.

6.Nuk ka mbështetje për zhvillimin profesional

Në shumë ambiente toksike, punonjësit detyrohen “t’ia dalin vetë”, sepse nuk ka mentorim apo mbështetje për zhvillim profesional.

Bohemond thotë se kjo është bërë edhe më e dukshme me punën në distancë, ku është më e lehtë të shkëputesh nga menaxheri apo ekipi.

Kjo godet sidomos punonjësit në fillim të karrierës, të cilët humbasin motivimin dhe ndihen të zhgënjyer.

Sipas Simon, më të prekurit janë shpesh punonjësit nga komunitetet e margjinalizuara, të cilët zakonisht marrin më pak mbështetje për ta kthyer potencialin në mundësi reale rritjeje.

7.Njerëzit shpesh ndihen të manipuluar psikologjikisht

Manipulimi psikologjik ndodh kur dikush ju bën të vini në dyshim ndjenjat, perceptimet apo edhe gjykimin tuaj.

Autorja kujton një menaxher që caktonte projekte me objektiva të qarta, por më pas, gjatë vlerësimit, mohonte gjithçka dhe ndryshonte krejtësisht pritshmëritë.

Si rezultat, ajo dhe kolegët filluan të dyshonin te aftësitë e tyre dhe gradualisht nisën ta urrenin punën në atë ekip.

8.Stresi i punës fillon të shfaqet fizikisht

Në një mjedis toksik, stresi mendor mund të ndikojë edhe në trup.

Mund të ndieni sikur trupi dhe mendja juaj janë vazhdimisht në alarm. Dhe kjo është e vërtetë, sepse truri po kërkon vazhdimisht kërcënime, thotë Quinn.

Qëndrimi për një kohë të gjatë në gjendje “lufto ose ik” mund të dëmtojë shëndetin fizik dhe të shkaktojë probleme me tretjen, pagjumësi, lodhje, dhimbje apo edhe sulme paniku.

9.Njerëzit shkëputen nga puna dhe largohen shpesh

Në një ambient toksik, punonjësit fillojnë të shkëputen emocionalisht nga puna, ekipi dhe kompania.

Bohemond thotë se kjo shihet edhe në mbledhjet online, ku njerëzit mbajnë kamerat fikur dhe komunikojnë vetëm me përgjigje të shkurtra.

Me kalimin e kohës, largimet nga puna shtohen ndjeshëm.

Nëse shihni se një departament i caktuar nuk arrin të mbajë njerëzit më shumë se një vit, ka shumë gjasa që aty të ketë toksicitet./Monitor