Në mesin e tensioneve të përshkallëzuara e që kanë kulmuar me luftën e Amerikës e të Izraelit kundër Iranit, aeroplanmbajtësja USS George H.W. Bush, një bazë ajrore lundruese që mund të mbajë mbi 80 avionë, u nis drejt Lindjes së Mesme për t’u vendosur në Komandën Qendrore të SHBA-ve.
Sipas raportimeve të CBS News-it, kjo lëvizje vjen pasi grupi goditës i aeroplanmbajtëses përfundoi stërvitjen e planifikuar dhe pritet t’i bashkohet operacioneve amerikane në rajon, veçanërisht në lidhje me Iranin.
Po këtë javë, dy shkatërrues me raketa të telekomanduara, USS Donald Cook e USS Mason, u nisën drejt Lindjes së Mesme, ndërsa USS Ross lundroi nga SHBA-të, në një destinacion ende të panjohur.
Ndërkohë, sipas një raportimi të Wall Street Journal-it, SHBA-të po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të 10 mijë trupave të tjera në Lindjen e Mesme, teksa po zhvillohen negociata indirekte me Iranin.
Në Lindjen e Mesme vazhdon kriza, me objektet strategjike të Iranit ende nën sulm nga Amerika e Izraeli, ndërsa nuk ndalen goditjet ndaj bazave amerikane në zonë, si kundërpërgjigje. E fundit që u godit ishte baza Sultan në Arabinë Saudite.
Një përditësim mbi konfliktin erdhi edhe nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike që deklaroi se Irani e informoi për një sulm të ri pranë termocentralit bërthamor Bushehr, i treti në 10 ditë. Teherani raportoi se nuk kishte dëme në reaktorin operativ e asnjë rrjedhje rrezatimi dhe se termocentrali po funksionon normalisht. Ndërkohë, Izraeli raportoi raketën e parë të lëshuar nga Jemeni që nga fillimi i luftës, një muaj më parë.