Sipas të dhënave të Airports Council International (ACI) World, aeroporti ndërkombëtar Hartsfield-Jackson Atlanta në SHBA ka ruajtur statusin e aeroportit më të frekuentuar në botë në vitin 2025, me mbi 106 milionë pasagjerë. Në vend të dytë renditet Dubai International Airport në Emiratet e Bashkuara Arabe, i ndjekur nga Tokyo Haneda në Japoni, Dallas Fort Worth në SHBA dhe Shanghai Pudong në Kinë. Raporti bazohet në numrin total të pasagjerëve që hipin dhe zbresin nga avionët, ku pasagjerët transit numërohen vetëm një herë.
Edhe pse Atlanta mbeti në krye, trafiku i pasagjerëve aty ra me 1.6% krahasuar me vitin 2024 dhe me 3.8% krahasuar me 2019. Në rajonin Azi-Paqësor, aeroportet po vazhdojnë rimëkëmbjen pas pandemisë COVID-19, me Tokyo Haneda që u ngjit në renditje, Shanghai Pudong që kaloi nga vendi i 10-të në të 5-in, si dhe Guangzhou Baiyun që pati një rritje të madhe nga vendi i 57-të në 2022 në vendin e 9-të në 2025.
Në Evropë, vetëm dy aeroporte hynë në top 10 global. London Heathrow u rendit i shtati me rreth 84.4 milionë pasagjerë, duke rënë nga vendi i pestë në 2024, ndërsa ai i Stambollit u rendit i teti me pothuajse të njëjtin numër pasagjerësh, por me një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me vitin 2019.