Babai i Ilaria Sulës kërkoi drejtësi në fund të varrimit të së bijës në Terni.
“Ai duhet të kalbet në burg. Ne i thamë lamtumirën për herë të fundit vajzës sime Ilaria, e cila tani është lart në parajsë. Ajo nuk e meritonte këtë fund sepse ishte me të vërtetë një fëmijë i artë, një engjëll”, tha Flamur Sula.
Kryetari i bashkisë Terni, Stefano Bandecchi tha se Ilaria “gjeti një djall në rrugën e saj, një njeri të padenjë për t’u quajtur burrë”.
LEXO EDHE: Vrasja e Ilaria Sulës, kryebashkiaku kërkon dënimin me vdekje për feminicidin dhe pedofilinë!
Babai i Ilarias shtoi më tej “Shpresojmë që drejtësia italiane të mos na japë fjalë të kota, si falje”.
Në varrezat e Ternit, për lamtumirën e fundit të Ilaria-s, ishin më shumë se tre mijë njerëz.
Ilaria Sula, 22-vjeçarja shqiptare, studente në universitetin “La Sapienza” në Romë, vdiq nga shoku hemorragjik shkaktuar nga 3 goditjet me thikë në qafë, të ish-të dashurit të saj.
E reja shqiptare u vra nga ish-i dashuri i saj Mark Antony Samson, 23 vjeç, student në universitetin “La Sapienza”, me familje me origjinë nga Filipinet, por i lindur në Itali. Vrasësi pasi e ka masakruar Ilarian, e fshehu trupin në një valixhe dhe më pas e transportoi 40 km larg, duke hedhur thikën në një kazan plehrash.
Mark Antony Samson, në dëshminë që zgjati rreth pesë orë në gjykatë, pranoi autorësinë për vrasjen e 22-vjeçares. Ai deklaroi se gjithçka e bëri vetë, pa asnjë bashkëpunëtor dhe rrëfeu se pasi e vrau të renë, pastroi vendin e krimit, për të fshirë gjurmët. Sipas filipinasit, ish-partnerja kishte shkuar në banesën e tij mbrëmjen e 25 marsit për t’i kthyer disa rroba, por për shkak të orës së vonë, me qëllim për të shmangur transportin publik, kishte vendosur ta kalonte natën aty. Kjo natë u shndërrua në tragjedi për 22-vjeçaren. Gjatë një debati me Mark Antony Samson, ky i fundit e goditi disa herë me thikë, duke i shkaktuar vdekjen.