Vrasja e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, tronditi Italinë një ditë më parë, kur u mësua se studentja që jetonte në Romë, u vra nga ish i dashuri i saj, Mark Antony Samson.
23-vjeçari me origjinë filipinase, në debat e sipër, goditi me thikë Ilarian, duke i marrë jetën, teksa më pas e futi trupin e saj në valixhe dhe më pas duke e hedhur në një zonë pyjore larg Romës.
Pasi pranoi krimin, hetimet kaluan dhe te prindërit e autorit, të cilët, sipas mediave italiane, ndodheshin në shtëpi kur ndodhi ngjarja.
LEXO EDHE: Itali/ Vrasja e 22-vjeçares shqiptare nga ish i dashuri, babai i Ilaria Sulës tregon si kuptoi që nga telefoni i vajzës s’po përgjigjej ajo, por filipinasi
Hetuesit po punojnë për të konstatuar ndonjë përfshirje të mundshme në fshehjen e trupit të vajzës nga babai dhe nëna e 23-vjeçarit, të cilët u morën në pyetje dje në komisariat.
Gjithashtu, një kamera sigurie ka kapur makinën e Samson, rreth orës 18:00 të datës 26 mars, në zonën e Polit, ku i riu ka hequr qafe trupin e vajzës, të mbyllur në një valixhe, duke e hedhur nga një shkëmb.
Si u zbulua autori?
Prindërit dhe shoqet, që nuk kishin arritur të kontaktonin dot me vajzën, e kishin denoncuar menjëherë rastin pranë organeve të rendit.
Tabulatet dhe qelizat telefonike që tregojnë vendndodhjen e një personi kur bën një telefonatë, ishin në mesin e elementëve që zunë në kurth ish të dashurin e studentes.
Përmes analizimit të tyre, hetuesit arritën të zbulonin se në ditët pas zhdukjes së vajzës, 23-vjeçari filipinas kishte vazhduar të përdorte telefonin e saj dhe bënte postime nga profilet e Ilarias në mediat sociale për të fshirë dyshimet.
Si reaguan familjarët?
Nëna e viktimës, Gëzime Sula, e cila nxitoi për në Romë së bashku me të shoqin dhe djalin pasi mori vesh lajmin për gjetjen e trupit të 22-vjeçares, deklaroi:
“Menjëherë e kuptova që diçka nuk shkonte. Komunikonim me videocall dhe nuk dërgonte mesazhe. Më pas fola me miqtë e saj që jetonin me të dhe së bashku me bashkëshortin vendosëm të denoncojmë menjëherë zhdukjen e saj. Hetimet çuan menjëherë te djali me të cilin Ilaria ka pasur një lidhje në të kaluarën, por ne dimë pak për të”.