Aktualitet

AKMC: Qarkullimi i mbyllur për mjetet dhe këmbësorët te Arrat e Gurrës në Librazhd!

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, AKMC konfirmon se është shembur duke u bërë e pakalueshme rruga provizore në zonën e Arrat e Gurrës, në fshatin Dragostunjë, Bashkia Librazhd.

Ndërkaq, rruga dytësore e hapur për kalim provizor, e që pritej të vihej në funksion mesditën e sotme pas ndërhyrjes me by-pass, pësoi fundosje dhe rrëshqitje toke. Si pasojë, janë dëmtuar punimet e kryera, ndërsa segmenti paraqet rrezik për qarkullimin.

Për arsye sigurie, janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar plotësisht lëvizja e mjeteve dhe këmbësorëve në këtë aks.

Autoritetet bëjnë të ditur se strukturat shtetërore do të kryejnë një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik të zonës, pasi terreni konsiderohet i paqëndrueshëm e sfidues për ndërhyrje.

Aksi kryesor që lidh Librazhdin me Pogradecin u bllokua dy ditë më parë, si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave në zonën e Dragostunjës, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit e shqetësim për drejtuesit e mjeteve.

Situata u shkaktua nga një erozion aktiv në zonën e Dragostunjës, ku ka pasur një rrëshqitjeje shumë intensive, që nga bazamenti i lumit e deri në sipërfaqe.