Aktualitet

Qarkullimi drejt juglindjes i bllokuar, vijon rrëshqitja e dherave në Librazhd-Pogradec!

Edhe sot vijojnë rrëshqitjet e dheut në zonën “Arrat e Gurrës” në Librazhd, duke shkaktuar dëmtime të mëtejshme të aksit Librazhd-Pogradec. Në këtë aks, ura ka degraduar më shumë, përfundimisht duke u bërë e papërdorshme.

Një ditë më parë, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se “duhet të shembet”. Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypass-in provizor që pritej të hapej sot.

Sa iu përket rrugëve alternative të kalimit, aktualisht, aksi Maliq-Gramsh-Elbasan është i vetmi i hapur për qarkullim në këtë drejtim.

Bllokimi i lëvizjes në juglindje të vendit prek dhe pikat e rëndësishme kufitare me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut, me të cilat ka një aktivitet të ndjeshëm tregtar sidomos me shtetin grek.

Më të dy këto vende u realizua një volum tregtar prej 117 miliardë lekësh më 2025-ën, (importe+eksporte), apo rreth 1.2 miliardë euro. Sipas INSTAT-it, shuma përbën rreth një të dhjetën e volumit tregtar në vend.