Java nis me një aksident të përgjakshëm në rrugët tona. Në aksin Librazhd-Përrenjas, një burrë 55-vjeç dhe bashkëshortja rreth 50-vjeçe gjetën vdekjen kur makina e drejtuar prej tij doli nga rruga e përfundoi në ujërat e lumit Shkumbin, pranë fshatit Pishkash. Viktimave nga Devolli u jepen inicialet A.Y dhe M.Y. Zjarrfikësit po punojnë për nxjerrjen e trupave nga automjeti.
Në më pak se 24 orë, ky është i treti aksident rrugor në vend me pasoja fatale, ndërsa janë shënuar katër viktima.
Në zonën e Unazës së Re në Tiranë, një person u përplas për vdekje, mbrëmjen e djeshme.
Në datë 02.04.2023 rreth orës 19:20, në Unazë të Re, shtetasi P. M., duke drejtuar automjetin e tij ka aksidentuar një shtetas, ende të paidentifikuar, i cili si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin e viktimës dhe sqarimin e rrethanave te aksidentit.
Po mbrëmë, një tjetër aksident i rëndë u shënua në Sukth të Durrësit, me një viktimë.
Rreth orës 21:15, në aksin rrugor Sukth-Manzë, një automjet ende i paidentifikuar është përplasur me motorin me drejtues shtetasin M. R. Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë pasagjeri i motomjetit shtetasi M. N., ndërsa drejtuesi ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin është larguar nga vendi i ngjarjes. Shërbimet e Policisë po vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.