Aktualitet

Kuvendi i Burrave në Theth-qeverisë: Mos na prish shtëpitë, jemi për paqe dhe jo shkatërrim!

Sot në ditën e 7-të të aksionit për shembjen e ndërtimeve pa leje, para kishës në Theth u mblodh Kuvendi i Burrave, duke kërkuar ndalimin e këtij aksioni dhe nisjen e dialogut me qeverinë. Zef Vladi, banor i Shalës, deklaroi se “kullat e Thethit janë ndërtuar me djersë e mbrojtur me gjak”. Ekzekutivit i kërkoi të mos shkatërrojë, por të dialogojë me banorët.

I kam bërë thirrje qeverisë për të ndërprerë aksionin se nuk është e arsyeshme. U kam bërë thirrje se ata i kanë gabimet, i kanë parë me sytë e tyre që janë bërë, nuk duhej të ishin lejuar të bëheshin. Ato shtëpitë tona nuk janë prishur akoma, por do t’u vijë dita. Duhet me vlerësuar si tek familja ime.

Edhe në Kosovë kur serbi ka ardh, atje u derdhte gjak, edhe zemra e shqiptarëve derdhte gjak. Anembanë botës, gjithë Dukagjini, Puka, më kanë shkruar që jemi me ju, por gjithmonë duke kërkuar të drejtat tona. Ne jemi ata që e kemi mbrojtur këtë tokë. Këto kulla janë bërë me djersë e larë me gjak, i kemi mbrojtur me gjak.

Nuk është e arsyeshme, as shteti, as kurrkush me ardhur me hy në tokat tona, tokat shekullore ku sot i ke pa tapi. Të ulemi të bisedojmë, jo të shkatërrojmë. Jemi vëllezër, nuk është e arsyeshme. Po del populli në rrugë të madhe, jemi për paqe, por duhet të bisedojmë. Kërkoj dialog me ta. Të vijnë këtu, përse shembin, jemi vëllezër.

Në Kuvendin e Burrave, pjesëmarrësit u shprehën njëzëri se pa pëlqimin e komunitetit, asnjë investitor i huaj nuk do të mund të gëzojë kurrë, qoftë edhe një centimetër tokë.

Në Kishën e Thethit, sot u zhvillua mesha e së dielës. Kleriku i zonës, Dom Kastriot Demaj përcolli një mesazh paqeje e reflektimi drejtuar të gjithëve, si banorëve, ashtu edhe autoriteteve shtetërore.

Ndërsa vijon aksioni i IKMT-së, raportohet se deri më tani janë prishur rreth 70 objekte pa leje. Në mbështetje të fadromave në terren kanë shkuar dhjetëra forca policie pasi vazhdimisht situata tensionohet nga banorët, të cilët kanë pasur edhe përplasje me uniformat blu.

Paralelisht, po punohet për heqjen e inerteve dhe pastrimin e zonës që vizitohet nga një numër i lartë turistësh të huaj në këtë periudhë.