Gossip Showbiz

Aktori Michael Pitt përballet me akuza të rënda për dhunë seksuale dhe dhunë në familje?

Michael Pitt, aktori i njohur për rolet në serialet “Boardwalk Empire” dhe “Dawson’s Creek”, është arrestuar në New York nën akuza të rënda për dhunë seksuale dhe dhunë në familje.

Sipas raportimeve nga “New York Post” dhe “Variety”, 44-vjeçari akuzohet nga ish-partnerja e tij për katër raste të ndara abuzimi, që dyshohet se kanë ndodhur gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Paditësja pretendon se Pitt e përdhunoi, e sulmoi me një bllok betoni dhe një dërrasë druri në banesën e tij në Bushwick, Brooklyn, si dhe e ka tentuar ta mbytë. Aktori u deklarua i pafajshëm pas arrestimit të bërë të premten e kaluar dhe aktualisht është liruar me kusht. Seanca e radhës gjyqësore pritet të zhvillohet në muajin qershor.

Avokati i Pitt ka mohuar me vendosmëri akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të motivuara nga motive personale. Në deklaratën e përfaqësuesit ligjor thuhej:

Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë kur një person si z. Pitt, një profesionist i suksesshëm dhe pa precedentë penalë për krime të tilla, mund të vihet në pranga vetëm mbi bazën e një pretendimi të pabazuar nga një person i shqetësuar emocionalisht. Akuzat janë ngritur në mënyrë të dyshimtë pas disa vitesh nga një marrëdhënie konsensuale. Ne jemi të bindur se kjo çështje do të pushohet.

Nuk është hera e parë që emri i aktorit përmendet në kronikën e zezë. Në vitin 2022, Pitt u arrestua për sulm dhe vjedhje, pasi akuzohej se kishte goditur një person dhe i kishte marrë telefonin celular.

Vetëm dy muaj pas këtij incidenti, ai u shtrua në një njësi psikiatrike, pasi u raportua se kishte hedhur objekte nga dritarja e një ndërtese, duke alarmuar banorët dhe policinë, e cila e përshkroi aktorin si “në gjendje të çrregullt mendore”.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, teksa komuniteti artistik pret zhvillimet e mëtejshme nga sistemi i drejtësisë.