Industria e filmit është përfshirë nga debate të forta pas prezantimit të një aktoreje të krijuar tërësisht nga inteligjenca artificiale. Tilly Norwood, personazh virtual i zhvilluar nga kompania Particle6, ka ndezur alarm tek aktorët dhe krijuesit, të cilët paralajmërojnë se teknologjia mund të kërcënojë seriozisht vendet e punës në kinematografi.
Drejtoresha e Particle6, Eline Van der Velder, ka shpjeguar se ideja për Tilly Norwood lindi pas rritjes së ndikuesve virtualë në fillim të vitit 2025.
Pas rreth tre vitesh eksperimentimi me inteligjencën artificiale, kompania vendosi të krijojë një personazh me identitet të plotë, nga emri dhe pamja, deri te personaliteti.
Në një deklaratë të shkurtër, ajo u shfaq para publikut duke thënë:
Unë jam aktorja e parë në botë e bazuar në inteligjencën artificiale.
Particle6 ka zbuluar se po ndërton një univers të tërë narrativ rreth saj, të quajtur “Tillyverse”, ndërsa në rrjetet sociale janë shpërndarë video ku Tilly shfaqet në reklama imagjinare për filma aksion, horror dhe fantastikë.
Por reagimet nuk kanë munguar. Aktore të njohura si Melissa Barrera, Kiersey Clemons dhe Natasha Lyonne kanë bërë thirrje për bojkot ndaj projekteve që promovojnë aktorë virtualë, duke paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të zëvendësojë talentin njerëzor dhe të ndryshojë rrënjësisht të ardhmen e kinemasë.