Food & Drink

Akullorja nuk është vetëm ëmbëlsirë, ja përfitimet shëndetësore që mund t’ju surprizojnë…

Akullorja është padyshim një nga ëmbëlsirat më të preferuara në mbarë botën. Nga vanilja dhe çokollata te luleshtrydhja apo biskotat, ajo mbetet zgjedhja e parë për shumë njerëz, veçanërisht gjatë ditëve të nxehta të verës. Por përtej shijes së saj të parezistueshme, ekspertët theksojnë se akullorja mund të ofrojë edhe disa përfitime ushqyese.

E prodhuar kryesisht nga qumështi, akullorja përmban një sërë vitaminash dhe mineralesh të rëndësishme për organizmin, përfshirë vitaminat A dhe D, kalciumin dhe proteinat. Këto elemente luajnë rol të rëndësishëm në forcimin e kockave, mirëmbajtjen e dhëmbëve dhe funksionimin normal të trupit.

Vlerat ushqyese mund të rriten edhe më shumë në varësi të përbërësve. Akullorja me vanilje natyrale dhe frutat e pyllit përmbajnë antioksidantë, ndërsa variantet me çokollatë të zezë janë të pasura me flavonoide, substanca që lidhen me shëndetin e zemrës.

Një tjetër avantazh i akullores është përmbajtja e kalciumit, mineral thelbësor që organizmi nuk e prodhon vetë. Konsumimi i moderuar i ushqimeve të pasura me kalcium ndihmon në ruajtjen e densitetit të kockave dhe mbështet procese të rëndësishme metabolike. Megjithatë, specialistët këshillojnë që akullorja të konsumohet me masë, pasi përmban gjithashtu sheqer dhe yndyrë. Zgjedhja e porcioneve të arsyeshme mund t’ju lejojë të shijoni këtë ëmbëlsirë pa e tepruar.