Rajoni

Albin Kurti akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet në Kosovë!

Kryeministri Albin Kurti akuzon Serbinë se ka ndërhyrë drejtpërdrejt në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë dhe se ka ndikuar në zgjedhjen e deputetëve serbë e të pakicave të tjera.

Serbia orvatet që vendin tonë jo vetëm ta mbajë peng në zhvillimin e brendshëm politik, por edhe në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në zgjedhjet e fundit, format e ndërhyrjes kanë ndryshuar për shkak të përmirësimit të dukshëm të gjendjes së sigurisë në katër komunat veriore.

Kjo si rezultat i sundimit të rendit dhe ligjit, të luftimit të suksesshëm të grupeve kriminale e terroriste, si dhe mbylljes së strukturave ilegale. Ndikimi i dikurshëm brutal e fizik, përfshirë këtu edhe rrahjet e vrasjet, nuk ka qenë i mundur më. Si zëvendësim janë rritur format tjera të kërcënimeve hibride, kryesisht joshja dhe kushtëzimi financiar, shantazhet e frikësimet, por edhe sulmet kibernetike

Presidenti i Serbisë ka inkurajuar çdo serb që të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Këtë qëllim ka pasur kryeterroristi, Milan Radoiçiç apo njeriu, i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë.

Aparati shtetëror i Serbisë ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme që t’i dëmtojë subjektet rivale serbe, veçanërisht Partinë për Liri, Drejtësi e Mbijetesë e Partinë Demokracia Serbe, si dhe votues të subjekteve të komuniteteve të tjera, kryesisht romë dhe ashkali.

Partia për Liri, Drejtësi e Mbijetesë drejtohet nga Nenad Rashiç, i cili është ministër në qeverinë Kurti, i emëruar pas largimit të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.

Përfaqësues të caktuar nga pothuajse të gjitha subjektet e tjera politike serbe janë tërhequr nga gara pas kërcënimeve që kanë marrë.

Kurti deklaroi se këto raste janë shënuar në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, si edhe në gjashtë komunat e tjera, në jug të vendit.

Për shumicën e këtyre rasteve, institucionet tona kanë dëshmi, të cilat për hir të privatësisë dhe sigurisë së qytetarëve serbë, nuk është e dobishme të bëhen publike.