Rajoni

Albin Kurti kritikon Gjykatën Kushtetuese!

Lëvizja Vetëvendosje propozoi kryetarin Albin Kurti, njëherazi kryeministër në detyrë i Kosovës, për një tjetër mandat në krye të qeverisë. Kurti u propozua me votë unanime, sot në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të partisë e falënderoi anëtarët për besimin e dhënë. Më tej, shpalosi programin e asaj që e quajti “qeverisje të re”.

LVV-ja e mori vendimin pak ditë pasi Kushtetuesja vuri masë të përkohshme, duke iu ndaluar deputetëve zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e qeverisë së Kosovës. Gjykata veproi pas ankesës së Listës Serbe që ende nuk ka një nënkryetar nga radhët e saj në parlament edhe pse kryeparlamentari Dimal Basha e cilësoi të mbyllur konstituimin e Kuvendit.

Në një pjesë të fjalimit, Kurti kritikoi Gjykatën Kushtetuese për vendimet që ka marrë gjatë mandatit qeverisës dhe ato të muajve të fundit lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde, apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde, edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime.

Ai e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për ato që i ka quajtur vonesa në marrjen e vendimeve gjatë mandatit të tij dhe e ka akuzuar këtë institucion si të njëanshëm, përkatësisht të afërt me partitë shqiptare që ishin në opozitë.

Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit.

Deputët e Kuvendit të Kosovës e nisën seancën e konstituimit më 15 prill. Teksa vazhdon me muaj, situata mbetet e paqartë. Kushtetuesja ka dalë tri herë me vendime brenda kësaj periudhe.

Në momentin që Kuvendi konstituohet, presidentja e vendit detyrohet të ngarkojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e qeverisë. Në këtë pikë nuk ekziston një afat i saktë, por vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, duhet që brenda 10 ditëve, Vjosa Osmani t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike e të vendosë.