Rajoni

Albin Kurti: Ligjet për Byronë shtetërore dhe Çmimet tavan, prioritete të qeverisë!

Kabineti i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sot miratoi një program legjislativ dyvjeçar, që përfshin dy ligje të rëndësishme, si ai për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjin për Çmimet tavan.

Duke folur në mbledhje, Kurti tha se këto dy ligje janë prioritet i tij në dy vjetët e ardhshme.

Do të vazhdojmë me vendosmëri për të sjellë ligje të qarta e cilësore në dobi të qytetarëve dhe sundimit të ligjit.

Kjo është një përpjekje e re e Kurtit për t’i fuqizuar këto ligje, pasi Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar.

Programi legjislativ është lista zyrtare e projektligjeve që qeveria synon t’i hartojë dhe t’i dërgojë për miratim në Kuvend brenda një periudhe të caktuar.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, njoftoi se e ka nënshkruar nisjen e procedurës për projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast të krizave ekonomike (Ligji për çmimet tavan).

Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur vendi përballet me rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore e çrregullime në furnizim. Qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize. Masat janë të përkohshme, proporcionale e të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik.

Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Gjykata më e lartë e vendit ia rrëzoi Kurtit dy herë ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, së pari më 2024-ën e pastaj në fillim të këtij viti. Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ka dyshime se është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Kushtetuesja tha në vendimin e janarit se e shfuqizoi ligjin për byronë sepse u miratua me “shkelje të rënda procedurale dhe kushtetuese”.

Sipas gjykatës, Kuvendi e përdori në mënyrë të pajustifikuar shmangien nga afatet procedurale, duke mos u dhënë deputetëve dhe komisioneve kohë për shqyrtim, debat e amendamente, në kundërshtim me nenet 74, 76 dhe 77 të Kushtetutës.

Ligji për çmimet tavan

Ligji për çmimet tavan ishte shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2023. Në atë kohë, gjykata theksonte se nuk ishte në përputhje me Kushtetutën e vendit.