Aktualitet

AMA, kundër piraterisë IPTV

AMA i paraqiti Komisionit të Medias raportin për 2019-ën, ku flitet dhe për piraterinë televizive. Vitin e kaluar, Autoriteti mori 8 ankesa për 12 subjekte, shifër dukshëm më e ulët krahasuar me tre vitet e shkuara sa i përket piraterisë nga operatorët kabllorë. Për AMA-n, “kjo është rënie e fenomenit të piraterisë televizive”. Falë dhe Memorandumit të Bashkëpunimit që do të lidhet mes Autoritetit të Mediave Audiovizive e AKEP-it në 2021-shin, ky fenomen do të ketë tjetër qasje, duke i dhënë impuls të ri luftës kundër piraterisë televizive. Megjithatë AMA vëren një tjetër formë të re të piraterisë televizive që po gjen përhapje nëpërmjet internetit për të cilën në raportin vjetor thekson se kjo mbetet një sfidë e vazhdueshme që kërkon rritje të bashkëpunimin me institucionet e tjera. Luftën me piraterinë nëpërmjet IPTV, AMA e ka vendosur si objektiv strategjik për tre vitet e ardhshme.