Aktualitet

Ambasadori Gonzato për DW: BE-ja ndjek me shqetësim sulmet ndaj gjyqësorit!

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerëson punën e SPAK-ut, duke e cilësuar “institucion kyç në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, si dhe një “element thelbësor në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Gonzato u shpreh se SPAK “po bën një punë shumë të rëndësishme”.

Nuk shohim asnjë pengesë për thirrjen dhe hetimin e politikanëve të rangut të lartë. Mendoj se ky është një element i rëndësishëm për vlerësimin e gatishmërisë së Shqipërisë. Është diçka që ne e vlerësojmë dhe e mbështesim. Ne mendojmë se duhet bërë më shumë për anën parandaluese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ambasadori i BE-së u ndal edhe te debatet politike dhe sulmet ndaj sistemit të drejtësisë. Diplomati theksoi se Bashkimi Europian i ndjek me shqetësim sulmet ndaj gjyqësorit dhe çdo ndërhyrje politike në punën e tij.

E sigurt është se në raportet tona vjetore, ne kemi shprehur vazhdimisht shqetësimin tonë në lidhje me sulmet kundër gjyqësorit. Ne kemi thënë se në të vërtetë, sistemi gjyqësor është bërë më i qëndrueshëm ndaj këtyre sulmeve, edhe sepse është një sistem i pavarur. Por, megjithatë, mendojmë se këto sulme nga politikanët dhe ndërhyrja politike janë diçka që e shohim me shqetësim. Është diçka që nuk duhet të vazhdojë.

Një koment dha edhe për nismën e socialistëve në Parlament mbi ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale lidhur me masën e pezullimit.

Ne po e ndjekim nga afër këtë ndryshim, që është neni që i lejon një gjykate të pezullojë një zyrtar publik që është nën hetim. Sepse çdo gjë që lidhet me sundimin e ligjit dhe administrimin e drejtësisë është diçka që ne e ndjekim nga afër dhe e vlerësojmë, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet kandidate.

Në fund, ambasadori i BE-së bëri një thirrje për bashkëpunim politik, duke theksuar se “shumica duhet t’i japë hapësirë opozitës për të luajtur rolin e saj, ndërsa opozita, të veprojë në mënyrë konstruktive”.