Sport

Andorra, historia e përballjeve me kuqezinjte/ Ja sa “kushton” skuadra kundërshtare!

Ndeshja e sotme do jetë e nënta mes dy skuadrave. Shqipëria mban vendin e 61-të në renditjen e FIFA-s, duke u ngjitur me pesë pozicione pas fitores së një muaji më parë në Serbi. Nga ana tjetër Andorra është në vendin e 172-të në këtë renditje.

Në përballjet kundër Andorrës në gjithë historinë, Shqipëria e futbollit ka gjashtë fitore, një barazim dhe një humbje. Dueli i parë mes dy skuadrave është luajtur më 6 shkurt të vitit 2000 në Maltë për turneun “Rothmans” dhe tanët fitonin 3-0 me golat e Edmond Dalipit, Rudi Vatës dhe Johan Drizës.

Ndeshja e dytë më 17 prill 2002, një miqësore zhvilluar në Andorra, përfundonte me fitoren 2-0 të vendasve. Më pas tanët kanë dy fitore radhazi, para se në 14 nëntor 2019 skuadrat të barazonin 2-2 në “Elbasan Arena” për kualifikueset e Euro 2020.

Më pas Shqipëria numëron edhe tre fitore kundër Andorrës, më 2021 në dy takime, si edhe më 24 marsin e këtij vitit për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Në total, Shqipëria i ka shënuar 14 gola Andorrës në tetë takime, kundrejt katër të pësuarve.

Vlera në ‘Transfermarkt’

Sipas faqes së specializuar të vlerësimit të futbollistëve, në treg ekipi i Andorrës vlen 3.56 milionë euro. Lojtari më i shtrenjtë i tyre është portieri Iker Alvarez. Ai luan në Spanjë me Cordoba CF dhe kartoni i tij kushton 800 mijë euro. Ndërkohë Shqipëria në këtë grumbullim ka një vlerë lojtarësh prej 88.20 milionë euro. Armando Broja, Kristjan Asllani apo Mirlind Daku janë futbollistët më me vlerë të tanëve.