Lifestyle

Ankthi i fëmijëve mund të trashëgohet nga sjelljet e prindërve?

Një studim i fundit ka treguar se çrregullimet e ankthit gjatë fëmijërisë mund të lidhen ngushtë jo vetëm me trashëgiminë gjenetike, por edhe me mënyrën se si prindërit sillen dhe reagojnë ndaj frikërave të përditshme.

Kërkimi, i kryer mbi 900 binjakë monozigotë dhe dizigotë që tashmë janë bërë prindër, zbuloi se fëmijët shpesh “kopjojnë” sjelljet ankthuese të prindërve të tyre, edhe nëse këta të fundit përpiqen t’i mbrojnë nga ndjenjat e frikës apo pasigurisë. Studimi tregon se ndikimi mjedisor ka po aq peshë sa edhe gjenetika në formimin e ankthit tek të miturit.

Sipas autorëve të hulumtimit, prindërit shpesh, pa dashur, transmetojnë ankthin e tyre përmes mënyrës së të folurit apo reagimeve ndaj situatave që i konsiderojnë të rrezikshme.

Një shembull i zakonshëm është prindi që përpiqet ta mbrojë fëmijën nga përvojat që vetë e kanë frikësuar dikur, si kontaktet me kafshët apo vizitat tek dentisti, gjë që, në vend që ta ndihmojë, mund ta pengojë fëmijën të mësojë si t’i përballojë vetë këto situata.

Një tjetër model që studiuesit e lidhin me ankthin e fëmijërisë është i ashtuquajturi “prind helikopter”, që mbikëqyr dhe kontrollon çdo hap të jetës së fëmijës, duke e mbajtur atë nën një mbrojtje të tepruar.

Ky lloj prindërimi, sipas rezultateve, mund të rrisë ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e pasigurive dhe frikërave të pashëndetshme.

Nuk është vetëm ADN-ja që përcakton sa i prirur është një fëmijë ndaj ankthit. Mjedisi në të cilin rritet dhe mënyra se si prindi përballet me frikërat luajnë një rol po aq të rëndësishëm

-shpjegon autorja kryesore e studimit, Thalia Eley, duke theksuar se ekspozimi gradual ndaj sfidave ndihmon fëmijët të ndërtojnë siguri dhe vetëbesim.

Studimi sjell një vështrim të ri mbi mënyrën se si stilet e prindërimit ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor të brezit të ardhshëm, duke treguar se trashëgimia emocionale mund të jetë po aq e fuqishme sa edhe ajo biologjike.