Antoni Gaudí, arkitekti i famshëm katalanas që i dha jetë Bazilikës Sagrada Família në Barcelonë, është vënë zyrtarisht në rrugën drejt shenjtërisë. Vatikani njoftoi se Papa Françesku ka njohur “virtytet heroike” të tij, një hap i parë i rëndësishëm në procesin e gjatë të kanonizimit në Kishën Katolike. I njohur prej kohësh si “Arkitekti i Zotit” për devotshmërinë e tij fetare dhe përdorimin e simboleve të krishtera në veprat e tij arkitektonike, prej kohësh ka pasur përpjekje për shpalljen e tij shenjtor.
Shoqata për Beatifikimin e Gaudít, e udhëhequr dikur nga arkitekti José Manuel Almuzara, numëronte mbi 80 000 ndjekës që luteshin për ndërmjetësimin e tij dhe për mrekulli. Gaudí i kushtoi 12 vitet e fundit të jetës ndërtimit të Sagrada Famílias, një kishë që edhe sot, më shumë se 140 vjet pas fillimit të saj në vitin 1882, mbetet e papërfunduar.
Papa Benedikti XVI e shuguroi këtë kishë në vitin 2010, duke e përshkruar atë si “një lavdërim për Zotin i bërë prej guri”. Në vitin 2026, përvjetori 100 i vdekjes së Gaudít, u shpall fillimisht si data përfundimtare për përfundimin e bazilikës. Megjithatë, pandemia e COVID-19 e ndaloi punën dhe uli të ardhurat nga turizmi, duke shtyrë pa afat përfundimin e saj. Procesi i shenjtërimit të Gaudít do të kërkojë tani një mrekulli të njohur nga Kisha për të kaluar në hapin tjetër; beatifikimin. Vetë veprat e tij janë tashmë një dëshmi e shenjtërisë.