Gjykata e Apelit ka vendosur të lërë në burg ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe. Ai u arrestua pak javë më parë bashkjë me zyrtarë e ish-zyrtarë të bashkisë së Lushnjës pasi akuzohen për korrupsion lidhur me tenderin e një kanali vaditës.
Më herët Tushe kishte kërkuar lirimin nga burgu me pretendimin se kishte probleme shëndetësore me diabetin, zemrën e mushkëritë por gjykata nuk e ka marrë parasysh kërkesën e tij.
Së bashku me Tushen në qeli mbetën edhe dy biznesmenët Ibrahim Lami dhe Bujar Murati. Të pandryshuara masat mbetën edhe për ish vartësit e Tushes të dyshuar për shpërdorim detyre, favorizim në tenderat dhe tjetërsim të pronës publike.
Fatos Tushe u arrestua me 6 korrik, me 10 vartësit e tij, nga një operacion i ndërmarrë nga SPAK, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bëhej fjalë për një tender me vlerë rreth 23 mln lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në fshatrat Bishqethëm dhe Bitaj. Ky tender është fituar nga një kompani EuroAlb shpk, që kishte sjellë ofertën më të lartë, por më pas punimet dhe fitimet dhe punën e ka bërë një kompani tjetër, e biznesmenit Ibrahim Lami. Ky i fundit, nga sa specifikohet në dosje, ka lidhje të ngushtë shoqërore me Tushen dhe Peqinin, si edhe lidhje familjare me biznesmenin që ishte shpallur fitues i tenderit, Bujar Murati dhe në fund paratë i ndanin bashkë.
Tushe ka dalë në përgjime edhe teksa abuzon me karburantin e shtetit, duke furnizuar makinat e të njohurve të tij, mes tyre edhe të djalit të një deputeti dhe një gazetari të njohur në Tiranë, si edhe ka ndërhyrë për një banesë që po ndërtohej pa leje, që inspektorët të mos shkonin për kontroll.
Tushe u shkarkua nga detyra nga kryeministri Edi Rama pas aferave korruptive në të cilat ai ishte përfshirë dhe aktualisht ndodhet në masën e sigurisë ‘Arrest në burg’.