Tech

Apple po kërkon të shtojë motorë kërkimi me Inteligjencë Artificiale në Safari!

Apple po kërkon të shtojë motorë kërkimi me Inteligjencë Artificiale nga OpenAI, Perplexity dhe Anthropic në Safari. Eddy Cue, Zëvendëspresidenti i Lartë i Shërbimeve i Apple, bëri deklaratën gjatë dëshmisë së tij në padinë e Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së kundër Alphabet. Zbulimi i Cue ishte pjesë e dëshmisë së tij në lidhje me marrëveshjen e Apple dhe Google prej 20 miliardë dollarësh në vit që e bën Google motorin e kërkimit parazgjedhur në Safari.

Ai vuri në dukje se kërkimet në Safari ranë për herë të parë muajin e kaluar, një ndryshim që ai ia atribuon përdorimit në rritje të Inteligjencës Artificiale. Cue gjithashtu deklaroi se ai beson se ofruesit e kërkimit me Inteligjencë Artificiale do të zëvendësojnë motorët tradicionalë të kërkimit si Google, prandaj Apple po kërkon në mënyrë aktive të shtojë këto shërbime në shfletuesin e saj. Megjithatë, Cue vuri në dukje se këto shërbime ndoshta nuk do të jenë zgjedhjet e para, pasi ai beson se ato ende duhet të përmirësohen.

Kërkimet në Google ranë në Safari për herë të parë muajin e kaluar, tha nënkryetari i lartë i shërbimeve të Apple, Eddy Cue, gjatë gjyqit të Google. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 22 vjet”-shtoi Cue. Cue e lidhi rënien e kërkimeve me përdorimin në rritje të Inteligjencës Artificiale, të cilën kompania tani po e shqyrton përfshirjen në Safari. Rritja e kërkimit në internet në mjetet e AI-së si ChatGPT, Perplexity, Gemini dhe Microsoft Copilot mund t’i bëjë përdoruesit më pak të prirur për të vizituar Google si mënyrën e tyre kryesore për të gjetur informacion.

Google aktualisht i paguan Apple rreth 20 miliardë dollarë për ta bërë motorin e saj të kërkimit motorin e parazgjedhur në Safari, dhe një rënie në kërkime mund të nënkuptojë më pak para për Apple. “Kam humbur shumë gjumë duke menduar për këtë”-citohet të ketë thënë Cue, kur mori në konsideratë se çfarë do të bënte Apple pa të ardhurat nga Google Search.