Arabia Saudite ka prezantuar Milaf Cola, e cilësuar si pija e parë freskuese në botë e prodhuar nga hurmat cilësore. Produkti është zhvilluar nga kompania Thurath Al-Madina, një degë e Fondit Publik të Investimeve, dhe u lançua gjatë Festivalit të Hurmas në Riad. Milaf Cola nuk përmban sheqer të shtuar dhe mbështetet te ëmbëlsia natyrale e hurmave, duke u pozicionuar si një alternativë më e shëndetshme ndaj pijeve tradicionale me gaz.

Ky lançim është në përputhje me objektivat e programit Saudi Vision 2030, i cili synon të forcojë industrinë vendase dhe të diversifikojë ekonominë. Kompania planifikon të zgjerojë prodhimin dhe të hyjë në tregjet rajonale dhe globale me produkte të tjera të bazuara në hurma. Ndërkaq, një studim i ri tregon se edhe një kanaçe pije dietike në ditë mund të rrisë rrezikun e sëmundjes së mëlçisë yndyrore me 60%. Ndërsa një pije me sheqer e rrit rrezikun me 50%. Kjo sëmundje, e njohur si NAFLD, ndodh kur yndyra grumbullohet në mëlçi edhe te njerëzit që nuk pijnë alkool. Me kalimin e kohës, mund të çojë në cirrozë dhe madje kancer të mëlçisë. Sot, thuajse 4 në 10 njerëz në SHBA vuajnë nga kjo gjendje.