Edhe pse nuk ka ende asgjë zyrtare për afrimin e Igli Tares si Drejtor Sportiv te Milani, me gjasë një nga futbollistët shqiptarë, i cili mund të afrohet te kuqezinjtë, është edhe Ardian Ismajli. Mbrojtësi i Kombëtares është një opsion shumë i mirë për një kalim të tillë dhe madje janë disa arsye pse ai është i favorizuar për të shkuar te Milani, gjithmonë nëse Tare zyrtarizohet.
Ndërkohë që është në negociata të avancuara me administratorin e përgjithshëm të Milanit, Tare ka piketuar disa lojtarë, të cilët mund t’i bashkohen klubit italian, si dëshirë e tij apo edhe një strategji për ndërtimin e një skuadre më të fortë për sezonin e ri të Serie A.
LEXO EDHE: Igli Tare shkon te Milani së bashku me një yll të Bundesligës
Igli Tare e ka dëshmuar që futbollistët shqiptarë kanë qenë pjesë të projektit të tij, Vedat Muriqi i fundit, Elseid Hysaj në vitin 2021 apo Strakosha më herët kur ishte drejtor i Lacios.
Ismajli ka zhvilluar një sezon të mirë me Empolin dhe në ndeshje të caktuara kundër ekipeve të forta, ka dalluar me paraqitjen e tij, duke treguar se është në nivelin e duhur. Për më tepër, Ismajli del lojtar i lirë në fund të këtij sezoni sepse i përfundon kontrata me Empolin dhe përderisa një rinovim nuk ka ardhur deri tani, mbrojtësi do të dalë i lirë në treg dhe nuk do të kishte asnjë shpenzim për Milanin që do ta përfitonte falas.
Një plus tjetër që 28-vjeçari ka, është edhe njohja e Serisë A. Tare shquhet për nuhatjen e tij dhe ndërtimin e një skuadre pa shumë shpenzime që mund të synojë trofe dhe duke parë problemet e Milanit në mbrojtje, Ismajli do të bënte shumë punë dhe padyshim që do të ishte një alternativë cilësore në mbrojtje.