Aktualitet

Armë zjarri dhe kokainë, arrestime në Kamëz e Kukës!

Një operacion policor kundër armëmbajtjes pa leje u finalizua në Kamëz, u sekuestrua një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak. Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ra shtetasi me iniciale A.P., 51 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar se mbante armën e fshehur në banesën e tij.

Operacioni policor i koduar “Tracking” u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas administrimit të informacioneve se një shtetas posedonte armë zjarri në banesë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Besim Cera”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan armën e zjarrit dhe municionin luftarak, që dyshohet se posedoheshin pa leje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, në Kukës vijon operacioni policor i koduar “Start 2” ndërsa numri i personave të arrestuar ka shkuar në katër, pas ndalimit të një 17-vjeçari, i dyshuar si i përfshirë në veprimtari kriminale.

Sipas Drejtorisë Vendore të Policisë, i mituri, banues në Kukës, në bashkëpunim me tre shtetasit e arrestuar më herët, dyshohet se shiste lëndë narkotike të llojit kokainë në qytetin verilindor.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.