Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Taulant Balla ka reaguar lidhur me arrestimin e kandidatit të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Sarandë, Ergys Isufi, pasi u kap ditën e sotme me kokainë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ka ironizuar duke thënë: ‘Mos ta kanë organizuar nga brenda, apo ky Agroni mos ka gisht’.
‘Mirë prindër, familjarë e krushq kandidatë, po kjo ç’është o Tiku?! Se mos ta kanë organizuar nga brenda, apo ky Agroni mos ka gisht. Se një armik do ta gjesh ti tani, siç të ka mësuar baba bufi’, tha ai.
LEXO EDHE: 3 ditë para zgjedhjeve, Proda ‘mobilizon’ drejtorët e policisë në çdo qark!
Policia e Sarandës ka arrestuar në flagrancë kandidatin e koalicionit “Shqipëria Bëhet” në Sarandë, Ergys Isufi, pasi është kapur me kokainë.
Sipas Top Channel, fillimisht Isufi ka tentuar të arratiset, por është neutralizuar nga policia.
Aktualisht shërbimet e policisë së Sarandës janë duke zhvilluar kontroll në banesën e tij, ndërsa ende nuk ka një reagim zyrtar.
Arrestimi i kandidatit vjen vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Isufi është kandidati i Adratik Lapajt dhe kandidon në listë të hapur në këto zgjedhje.
Në prezantimin e bërë nga partia “Shqipëria Bëhet” për këtë kandidat, thuhet se Ergys Isufi, është inxhinier elektrik me eksperiencë në menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe energjetike brenda dhe jashtë vendit.
“Ka drejtuar me sukses iniciativa inovative për transportin detar elektrik në Suedi, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm. I orientuar drejt efikasitetit, bashkëpunimit dhe rezultateve cilësore, me përkushtim për të dhënë kontribut real për vendin. Gati të sjellë profesionalizëm, zgjidhje teknike dhe integritet në shërbim të publikut, prandaj kandidon në qarkun e Vlorës me koalicionin ‘Nisma Shqipëria Bëhet”-thuhet në prezantimin e tij.