Aktualitet

Arrestohet në Itali Adriatik Llalla/ Ish-kryeprokurori është dënuar me 2 vjet burg!

I shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në kryeqytetin italian Romë, Adriatik Llalla, i cili mësohet se ka kërkuar azil politik në vendin fqinj. Mësohet se ndalimi i ish-kryeprokurorit është bërë më 10 dhjetor, pra tre ditë më parë, por lajmi bëhet i ditur sot. Pas dy ditësh, në gjykatën e Romës do të vendoset lidhur me ekstradimin.

Kujtojmë se nga Gjykata e Posaçme, ish-Prokurori i Përgjithshëm u dënua me dy vjet burg, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”. E tashmë, pritet bëhet zyrtari më i lartë shqiptar që shkon përfundimisht në qeli. Gjithashtu, ish-Prokurori i Përgjithshëm është dënuar me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe i janë konfiskuar disa pasuri, rreth 22 mijë metra katorë truall e një apartament në Durrës.

Më 22 shtator, Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin e Llallës. Por, dhënia e këtij vendimi, nuk e gjeti atë në Shqipëri e fillimisht u tha se gjendej jashtë vendit, për t’u kuruar në një klinikë private dhe qarkulloi lajmi se ndodhej në Itali. Për shkak se nuk u paraqit vullnetarisht brenda afatit 7 ditor, pas lënies në fuqi të vendimit, u shpall në kërkim ndërkombëtar në datën 8 tetor.

Kujtojmë se prej rreth katër vitesh, nga shkurti i vitit 2018, ish-shefi i organit qëndror të akuzës, Adriatik Llalla është pjesë e listës së zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i ka ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara, atij dhe familjarëve.

Adriatik Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Fillimisht, hetimi ndaj tij u regjistrua nga Prokuroria e Durrësit, më 15 mars 2018, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. U hetua edhe për veprën penale të “Mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”. Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm. Në mars të këtij viti, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën u dënua me dy vite burg.