Policia vuri në pranga një tjetër person të dyshuar për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit, Edmond Mëhalla, i njohur edhe si Edmond Hyka në Elbasan, më 30 nëntor. Arrestimi u krye në Prrenjas, ku u kap 33 vjeçari Nevzat Spaho, person me precedentë penalë, i cili sipas hetimeve paraprake dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë zjarri i 43 vjeçarit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se kapja e Spahos është rezultat i disa orësh ndjekjeje dhe verifikimesh të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin dhe rolin e secilit prej të dyshuarve.
Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar në ekzekutim.