Aktualitet

Detaje nga vrasja e biznesmenit në Elbasan!

Detaje të reja zbulohen nga ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka, i cili u vra me dy plumba në kokë mbrëmjen e djeshme në Elbasan. Raportohet se njëri nga autorët doli nga mjeti tip Audi dhe iu afrua biznesmenit që sapo kishte hipur në Range Rover duke qëlluar 3 plumba në drejtim të tij. Dy prej plumbave e kapën 43-vjeçarin në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ndërkohë mjeti i autorëve u gjet në fshatin Mirakë të Librazhdit, ndërsa brenda makinës mësohet se nuk kishte armë. 43-vjeçari u ekzekutua brenda në automjetin tip Range Rover të parkuar pranë karburantit të tij, rreth orës 20:35. Sipas të dhënave paraprake, Mëhalla sapo kishte dalë nga zyra, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij.

Në momentin që hyri në automjet, u qëllua me armë zjarri duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar e po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit.

Elbasan/Informacion shtesë

Në vijim të kontrolleve dhe të veprimeve hetimore që po kryhen nga grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së ndodhur mbrëmë, ku mbeti i vrarë shtetasi M. M., alias E. H., 43 vjeç, ditën e sotme u konstatua në fshatin Mirakë, automjeti tip “Audi”, i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e kësaj ngjarjeje.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe sigurimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.