Reperi ASAP Rocky ka hapur zemrën së fundmi, duke zbuluar se atësia ka sjellë një ndryshim rrënjësor në jetën dhe personalitetin e tij.
Në një intervistë për revistën W, artisti ka pranuar se ardhja e fëmijëve e ka bërë më të ndjeshëm, më të dashur dhe shumë më të përkushtuar ndaj njerëzve që ka pranë.
Rocky, i cili prej vitesh është në një lidhje me superyllin Rihanna, është baba i tre fëmijëve: djemve RZA, 3 vjeç, dhe Riot Rose, 2 vjeç, si dhe një vajze të porsalindur, Rocky Irish, rreth katër muajshe.
Duke reflektuar mbi jetën para dhe pas atësisë, ai u shpreh sinqerisht:
Jam shumë më emocional. Para se të kisha fëmijë, ndoshta isha më gjakftohtë, por tani jam i mbushur me dashuri
Sipas tij, ky transformim nuk ka ndikuar vetëm në marrëdhënien me fëmijët, por edhe në mënyrën se si i qaset njerëzve në përgjithësi. Reperi theksoi se sot përpiqet të shpërndajë më shumë pozitivitet, dashuri dhe mirëkuptim në jetën e përditshme.
Në intervistë, ai foli edhe për vajzën e tij të vogël, e lindur në shtator, duke reaguar me humor kur u pyet se si do të ndihej nëse dikush do të donte të dilte me të në të ardhmen:
Do të lutem për ta
-tha ai me të qeshur, por edhe me një dozë serioziteti.
Deklaratat vijnë vetëm pak javë pasi Rocky foli edhe për raportin mes fëmijëve të tij. Në dhjetor, gjatë një interviste për Extra në kuadër të Gotham Film Awards, ai tregoi se ishte i surprizuar nga sa mirë shkojnë djemtë me njëri-tjetrin, edhe pse pranoi se kanë shfaqur pak xhelozi për motrën e vogël.
Për ASAP Rocky-n, duket se familja ka hapur një kapitull të ri në jetën e tij, një kapitull të mbushur me emocione të forta, përgjegjësi dhe një dashuri që, sipas tij, nuk e kishte njohur kurrë më parë.