Një studim i Universitetit të Gjeorgjisë ka zbuluar se punonjësit që shtiren sikur janë të lumtur ose fshehin emocionet gjatë punës, kanë deri në 30% më shumë gjasa të pijnë alkool pas pune. Ky fenomen, i quajtur “surface acting” (aktrim sipërfaqësor), ndodh kur njerëzit detyrohen të jenë gjithmonë pozitivë, edhe kur nuk ndihen ashtu. Kjo sjell lodhje emocionale, rrit nivelin e stresit dhe e shtyn trurin të kërkojë çlirim të shpejtë, shpesh përmes alkoolit.
Ndërkaq, përparimi i pandalshëm i inteligjencës artificiale po ndryshon rrënjësisht botën e punës. Kompani të mëdha si Amazon kanë filluar tashmë të përshtaten me epokën e re teknologjike; ndërsa investojnë miliarda në zhvillimin e AI-së, kanë shkurtuar mijëra vende pune vetëm kohët e fundit, gjiganti amerikan pushoi nga puna 14 mijë punonjës. Eksperti i inteligjencës artificiale Jon Hernández paralajmëron se kjo është vetëm fillimi. Sipas tij, deri në vitin 2026 çdo punë që kërkon kompjuter mund të kryhet nga IA. “Kjo teknologji do të zëvendësojë pothuajse të gjitha punët, pa asnjë dyshim”, deklaron Hernández.
Edhe pse avantazhet janë të dukshme, përpunimi më i shpejtë i të dhënave, përmbledhje librash, menaxhim tekstesh dhe kursim kohe, pasojat në tregun e punës mund të jenë të rënda. Eksperti thekson se valën e parë të humbjeve të vendeve të punës do ta ndiejnë praktikantët, pasi detyrat e tyre janë më të thjeshta dhe lehtësisht të automatizueshme. Megjithatë, Hernández pranon se ka fusha që AI nuk do të mund t’i zëvendësojë plotësisht. “Nuk do t’i besoja kurrë fëmijët e mi një roboti dado”, thotë ai.